ChatGPT ishte fjala më e kërkuar në Wikipedia për këtë vit.

“Në total, faqja Wikipedia për ChatGPT mori 49.5 milionë nga 76 miliardë shikime në të gjithë Wikipedia në gjuhën angleze midis 1 janarit dhe 28 nëntorit. Kjo faqe unike mblodhi gati 7 milionë shikime më shumë se faqja tjetër më e njohur, e cila që i referohet vdekjeve të personazheve të njohur në vitin 2023”.

Kështu do të shprehej në fillim të dhjetorit, Anusha Alikhan, shefe e komunikimit në Fondacionin Wikimedia.

E ndërsa është rritur interesimi i njerëzve për Inteligjencën Artificiale (IA) dhe ChatGPT, është 4-fishuar buxheti, që kompanitë teknologjike po shpenzojnë në startup-e, që krijojnë softuer që mund t’i përgjigjet pyetjeve njerëzore dhe të krijojë tekst, imazhe dhe audio si njeriu.

Pak ditë më parë, Reuters, duke iu referuar të dhënave të PitchBook, raportonte se deri më 8 dhjetor të këtij viti investimet kapën shifrën 27 miliardë dollarë, ose katër herë më shumë se shifra e shpenzuar për të gjithë vitin 2022. Gjigandi i teknologjisë Microsoft ka investuar 12 miliardë dollarë në OpenAI dhe Inflection AI, ndërsa Amazon po mbështet startupin rival Anthropic.

E gjithë kjo tregon se mbase nuk do të jetë e largët dita kur të ndihemi “të pushtuar” nga inteligjenca artificiale.

IA, media dhe surpriza e Ramës

Video ku shfaqej një vajzë në poza intime, e cila ishte kopje e moderatores Luana Vjollca u bë virale brenda pak minutash, muaj më parë. Pak orë më vonë u kuptua se video ishte realizuar përmes inteligjencës artificiale, ndërsa erdhi dhe reagimi i moderatores, që hodhi poshtë faktin se ishte ajo personi që shfaqej në video. Thuajse të gjitha mediat shqiptare ranë në grackën e videos së rreme.

Ndërkohë në vendin fqinjë Itali, vetëm pak ditë pasi kryeministrja Giorgia Meloni shpalli divorcin me bashkëshortin, një tjetër video tërhoqi jo pak vëmendjen dhe u kthye në virale.

Një i ri shqiptar që jeton në Itali, Elvis Tusha, publikoi videon, ku protagonist ishte Andrea Giambruno, ish-partneri i kryeministres Meloni. Në videon e publikuar, duke komentuar ndarjen e tyre, Giambruno dëgjohet të thotë se nuk është aspak i trishtuar.

Por menjëherë më pas, Giambruno shpjegon se është një krijesë e Tushës dhe përmes kësaj videoje kërkon të ndërgjegjësojë njerëzit se sa e rrezikshme mund të jetë IA dhe produktet e saj.

@elvi5belvi5 ⚠️Attenzione questo video è stato creato con l’ausilio dell’intelligenza artificiale ⚠️ 🤯È incredibile quanto sia facile al giorno d’oggi replicare il volto di chiunque, replicare la voce di chiunque, replicare le movenze di chiunque e quindi creare un clone incredibilmente simile di qualunque persona. Grazie all’intelligenza artificiale infatti basteranno pochissimi clic per far dire qualunque frase a chiunque. Che sia persona famosa o non questa applicazione è in grado di modificare clonare chiunque . Per sensibilizzare ho creato questo video, cavalcando una notizia italiana, per far capire praticamente le potenzialità e i rischi annessi a questo tipologia di tecnologia . L’intelligenza artificiale infatti sta andando molto più veloce di quella che è la regolamentazione sia nazionale che europea sull’intelligenza artificiale . È importante infatti, prendere coscienza di quelle che sono le capacità dell’intelligenza artificiale nel ricreare volti voci movenze e aspetto fisico di chiunque . Grazie all’intelligenza artificiale infatti clonare totalmente le persone è possibile in pochissimi clic E non serve alcuna capacità tecnica. Da oggi infatti dobbiamo pensarci su due volte se quello che abbiamo visto era vero oppure contenuto creato quell’intelligenza artificiale . #elvistusha #ai #openai #giorgiameloni #melonipremier #gianbruno #gianbrunoandrea #gianbrunomeloni #aivideos #aivideo #heygen #heygenlabs #aivoice #aicontent #gpt #gpt4 #chatgpthack #faceai #giulianoamato #aivoices #voiceaitrend #intelligenzaartificiale #artificialintelligence #deepfake #deepfakes ♬ suono originale – Elvis Tusha

Video e Tushës ka marrë mbi 100 mijë pëlqime dhe rreth 17 mijë shpërndarje në Tik Tok. Nëse i riu shqiptar nuk do ta kishte sqaruar që bëhej fjalë për një individ të krijuar përmes IA-së, imagjinoni “tërmetin” që mund të krijohej në rrjet, derisa të kuptohej se ishte video fake.

Me zhvillimin e jashtëzakonshëm të teknologjisë në vitet e fundit dhe përdorimin masiv të rrjeteve sociale rreziku për t’u mashtruar nga imazhe apo pamjet filmike të krijuara nga Inteligjenca Artificiale, të njohura dhe si “deepfake” është potencialisht më i madh.

Por nga ana tjetër, ChatGPT përdoret në disa raste për të prodhuar lajme!

Mund të duket e çuditshme, por krijuesi i RevoKult, Aldo Mustafa, ka vendosur ta përdorë për të krijuar përmbajtje mediatike si ky rast: https://revokult.com/2023/12/13/10-sugjerime-per-biznes-ne-shqiperi-nga-chatgpt-ja-dhe-hapat-qe-mund-te-merrni/

A është e saktë në këtë lajm IA në analizimin e të dhënave të tregut në vendin tonë? Mund të themi që në listë janë përfshirë disa nga sektorët me rritjen më të qëndrueshme në ekonomi si Turizmi dhe Teknologjia e Inovacioni.

Vetë ChatGPT, pyetjes nëse “Është IA e përsosur?” i përgjigjet: “IA nuk është perfekt dhe nuk mund të kuptojë situata komplekse në mënyrë që të japin vendime të sakta në çdo rast. IA mund të jetë shumë i dobishëm në disa raste, si p.sh. në analizën e të dhënave, në klasifikimin e informacionit dhe në automatizimin e disa proceseve.

Në një kohë që media ka hedhur hapat e parë drejt IA-së, siç është dhënia e një edicioni lajmesh nga një spikere virtuale, kryeministri i vendit ka vendosur ta çojë bashkëpunimin me IA-në në një tjetër stad, duke përdorur ChatGPT për të përshpejtuar punën për përshtatjen e legjislacionit tonë me BE-në si hap i nevojshëm për anëtarësimin në Bashkimin Evropian

Rama e njoftoi bisedën me krijuesen e ChatGPT, shqiptaren Mira Murati gjatë Kongresit të Partisë Socialiste. Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria do të fitojë kohë, pasi vendeve të tjera u është dashur 7-9 vite për të realiizuar këtë proces.

A po hapen universitetet drejt Inteligjencës Artificiale?

Të rinjtë janë brezi që rrokin më kollaj zhvillimet teknologjike dhe bëhen përdorues të tyre. Kështu ka ndodhur dhe me ChatGPT që sipas lektorit Emiliano Mankolli, të Western Balkan University, njihet shumë mirë prej studentëve.

“Nëse do t’u vija notë për njohjen e ChatGPT do të ishte nota 8, por do t’u vija notën 5 lidhur me përdorimin që i bëjnë. Ajo që konstatoj është se janë bërë më dembelë. Shumica prej tyre e përdor si motor kërkimi të optimizuar dhe nuk vënë në punë kreativitetin e tyre”,- thotë ai për “DurrësLajm”.

Të njëjtin mendim ndan edhe Mira Prodani, shefe e departamentit “Teknologji Informacioni” në UAMD.

Përveç mungesës së kreativitetit, për shkak se shumë materiale i gjejnë të gatshme dhe nuk i elaborojnë më tej, Prodani nënvizon si tjetër faktor shqetësues mungesën e kontaktit social dhe mangësitë e ChatGPT.

“Nëse më parë mund të konsultoheshin me pedagogë, studentë të tjerë, ekspertë të fushës etj tani pyetjet e tyre adresohen vetëm drejt një roboti që u kthen shpesh përgjigje në terma shkencorë, që nuk janë lehtësisht të kuptueshëm nga të rinjtë. Nga ana tjetër, ChatGPT në shqip ka ende mangësi dhe nuk është shumë eficent, Nuk jam dakort që studentët ta përdorin për arsye mësimore, pasi përgjigjet i marrin shabllon dhe bien në kopjim e nuk elaborojnë idetë e tyre origjinale”.

Aktualisht studentët po orientohen drejt përdorimit të gjerë të IA-së, por në universitetet publike dhe private të vendit mungojnë kurrikulat e mirëfillta për programe studimi që mund të krijohen për t’u dhënë të rinjve trajnim intelektual, profesional dhe gjithëpërfshirës në fushën e Inteligjencës Artificiale.

“Jemi vonë, tani duhet të kishin dalë brezat e parë të diplomuar në IA”,- thotë lektori Mankolli.

“Fatkeqësisht shumë universitete e kanë neglizhuar deri më tani futjen e lëndëve që përmbajnë elementë të Inteligjencës Artificiale, por tregu tashmë po i kërkon me ngulm këto njohuri. Për këtë arsye, në Universitetin tonë futja e këtyre njohurive në programet Bachelor, Master dhe Doktoraturë ishte e nevojshme si kërkesë e tregut të punës. Tani po shihet një tendencë e mëtejshme në ofrimin e njohurive të IA-së edhe në degë të tjera tradicionale për t’u përshtatur me kërkesat e reja të tregut”,- na thotë Dr. Igli Hasrama, kreu i Qendrës së Inovacionit pranë Universitetit Metropolitan Tirana.

Në këtë universitet është në vitin e dytë programi i Doktoraturës në Inteligjencë Artificiale dhe Sistemet Inteligjente, ndërsa është viti i parë i ciklit Bachelor në IA.

Në universitetin e Durrësit, “Aleksandër Moisiu”, ka vetëm një lëndë në Master Shkencor, që i dedikohet IA-së.

“Jepen vetëm njohuritë bazë”,– na bën të ditur shefja e departamentit “Shkenca Kompjuterike”, Senada Bushati, ndërsa shton se “po punohet për të futur një program studimi për IA-në, por më pas do të varet nga Ministria e Arsimit miratimi ose jo”.

Ta njohim IA-në për të luftuar “rreziqet ” e zhvillimit të pakontrolluar të saj

Kur miliarderi Elon Musk deklaroi një muaj më parë se Inteligjenca Artificiale është një nga “kërcënimet më të mëdha” të njerëzimit, paralajmërimi i tij u cilësua i drejtë nga shumë njerëz në të gjithë botën.

Njohja me të gjitha rreziqet që paraqet zhvillimi i kësaj teknologjie mund të shërbejë si masë parandaluese për të frenuar efektet negative, që mund të sjellë në jetën tonë.

Krahas studentëve dhe të rriturve është shtuar shumë rreziku që dhe moshat e vogla të bien në kontakt me IA-në.

I përgatitur si trajner gjatë një trajnimi të organizuar nga UNDP lidhur me identifikimin e materialeve fake në internet dhe dëmin që ato shkaktojnë, gazetari Aldo Mustafa na tregon se në fillim të muajit janar të vitit të ardhshëm do të zhvillojë një trajnim 3 ditor me studentë të Fakultetit të Edukimit në UAMD.

“Do t’u jap informacionet bazë si të identifikojnë materialet e rreme, lajmet, fotot apo videot fake. Do trajnoj studentët që mbarojnë për “Mësuesi”, në mënyrë që më pas këto njohuri të marra gjatë trajnimit ata/o të mund t’ua përcjellin nxënësve të ciklit 9-vjeçar apo të mesëm”.  

Tregu i punës po kërkon vitet e fundit punonjës me bagazh të ri aftësish në IA, me qëllim rritjen e perfomancës së kompanive në treg. Për këtë arsye universitetet duhet të ndërmarrin hapa konkretë në këtë drejtim.

“Për këtë arsye futja e njohurive bazë në të gjitha programet e studimit është një nevojë e kompanive për t’u rritur dhe për të qenë sa më konkuruese në tregjet e tyre. Kjo do të sjellë me kalimin e kohës dhe përshtatjen e profesioneve tradicionale me këto aftësi të reja dhe të nevojshme në pothuajse çdo fushë zbatimi”,- thotë Hasrama.

M.B.