Presidenti Joe Biden lëshoi një urdhër ekzekutiv me spektër të gjerë që synon mbrojtjen nga kërcënimet e inteligjencës artificiale dhe përdorimi i teknologjisë prej faktorësh dashakëqij, për të zhvilluar armë shkatërruese ose për të ndërmarrë sulme masive kibernetike.
Lëvizja e tij parashikon një rol të rëndësishëm të qeverisë federale në industrinë prej gati gjysmë trilion dollarësh, që ka në qendër të saj një konkurrencë të egër mes disa prej kompanive më të mëdha të vendit, duke përfshirë Google dhe Amazon. Administrata Biden gjithashtu i bën thirrje Kongresit të miratojë legjislacionin për privatësinë e të dhënave, përpjekje të cilën ligjvënësit e kanë anashkaluar për vite me radhë, pavarësisht përpjekjeve të shumta në favor të saj.
Urdhri ekzekutiv parashikon mbikëqyrje të shtuar mbi testet e sigurisë që kompanitë përdorin për të vlerësuar chatbotet si ChatGPT dhe prezanton mes rregulloreve të tjera standarde të industrisë si watermarku për identifikimin e produkteve të ndihmuara nga AI.
“Ky bllok reformash përbën grupin më të fuqishëm të veprimeve të ndërmarra ndonjëherë nga qeveritë në botë sigurinë dhe besimin ndaj AI”, tha në një deklaratë zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Bruce Reed. Rregulli kyç i urdhrit ekzekutiv është që kompanitë e AI të kryejnë teste të produkteve të tyre dhe rezultatet t`i ndajnë me qeverinë federale, përpara se ato të bëhen të disponueshme për konsumatorët.