Revolucioni i Inteligjencës Artificiale në botën moderne, po sjell një zhvillim të pandalshëm të teknologjisë në ditët e sotme dhe duhet të jemi të përgatitur për transformimet që do të ndodhin në një të ardhme shumë të afërt.
Për të diskutuar mbi këto zhvillime të pritshme dhe ndryshimet thelbërore që do të sjellë Inteligjenca Artificiale në shkencat kuantike dhe mjekësore, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” janë mbledhur akademikë dhe ekspertë nga e gjithë bota në një kongres ndërkombëtar.
Sipas ekspertëve, transformimet do të jenë mjaft të prekshme në 5 vitet e ardhshme.
“Në të ardhmen, gjithnjë nëse nuk krijohen kompjuterat kuantikë, do të ekzistojnë robotë të tipit si tek filmi “Star wars”, ku maxhordomi fliste 600 milionë gjuhë”,- tha ndër të tjera profesor Vicenzo Vespri, nga Universiteti i Firenzes.
“Sipas meje do të kombinohen. Duhet të tregohemi të zotë të ruajmë hapësirat tona në një botë që po kthehet gjithnjë e më shumë artificiale. Në 4-5 vite do të shohim gjëra të pabesueshme. Nëse i referohemi LLM-ve të fundit, që janë modele gjuhësore më të avancuara, në dy vitet e ardhshme do të shohim modele 100 herë më mirë sesa ata që kemi aktualisht. Do të shohim gjëra, që tani nuk mund t’i imagjinojmë”,- tha për “DurrësLajm” inxhinieri Antonio La Gatta.
Por a mbart rreziqe për njerëzimin zhvillimi i pandalshëm që Inteligjenca Artificiale po merr në botën moderne?
“Është një nga mundësitë më të mira, por njëkohësisht dhe një nga rreziqet më të mëdha. Duhet të tregohemi shumë të përgjegjshëm dhe të kujdesshëm në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale. Rreziku është nëse makineritë do të nisin të arsyetojnë vetë. Këtë duhet të mbajmë nën kontroll dhe duhet ta ndalojmë që të ndodhë”,- Tom Darden, themelues dhe CEO i Cherokee.
Në fjalën përshëndetëse, rektori Shkëlqim Fortuzi e cilësoi një arritje të madhe për UAMD zhvillimin e një kongresi të këtyre përmasave, ndërsa pjesëmarrësit vlerësuan mbështetjen që universiteti po jep në këtë drejtim.
“Është një vend perfekt për të mbajtur këtë konferencë ndërkombëtare. Universiteti u tregua shumë mbështetës, ndërkohë që të pranishëm janë shumë figura të njohura nga vende të ndryshme të botës, për të diskutuar sesi do të menaxhohet dhe zhvillohet teknologjia në të ardhmen”,- deklaroi biznesmeni amerikan Tomas McFadyen.
M.B.