Moska është duke planifikuar që të instalojë qasje luftarake në shoqërinë ruse duke nisur mësime nëpër shkolla për armët dhe dronët, për nxënësit nga mosha 15-vjeçare e më lart, kanë thënë ekspertë të inteligjencës britanike.
Në përditësimin e fundit të Ministrisë britanike të Mbrojtjes është cituar një politikan rus, i cili besohet të ketë thënë se, përmes ligjëratave fëmijët rusë do të mësojnë “si të kryejnë zbulime në terren” dhe si t’i zmbrapsin dronët luftarakë.
Prej 1 shtatorit, nxënësit rusë të klasave 10-11, do të marrin pjesë në trajnimet për përdorim të pushkës, të granatave dhe ofrimin e ndihmës së parë në luftë, është thënë mes tjerash në raport.
Megjithatë, sipas britanikëve, qëllimi kryesor nuk është krijimi i aftësive të reja, por kultivimi i një “kulture të patriotizmit ushtarak” në popullsinë ruse.
Megjithatë, përfshirja e mësimeve për dronët tregon se Rusia “e ka identifikuar se përdorimi i dronëve në Ukrainë është një komponent i qëndrueshëm i luftës bashkëkohore”.
Ministria britanike e Mbrojtjes lëshon çdo ditë përditësime për luftën e Rusisë në Ukrainë, të nisur në shkurt të vitit 2022.
Moska e akuzon Londrën për përhapje të dezinformatave. Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.