Identifikimi i vrasësve të 33 vjeçarit Ariton Shaskaj është objektivi kryesor i hetuesve të çështjes. Kur kanë kaluar 5 ditë nga vrasja e picaiolit shqiptar, policia italiane ende nuk ka arritur të identifikojë 2 personat, që mbrëmjen e së dielës, pasi mbërritën në rrugën Turati, në komunën Velletri afër Romës, me një motor dhe me kokore në kokë për të mos u dalluar, qëlluan mbi shqiptarin, që miqtë e familjarët e thërrisnin Tony.
Siç duket nga kamerat e sigurisë së zonës, një nga vrasësit ka zbritur nga motori dhe ka shtënë 4 plumba në drejtim të tij. Ndërkohë tjetri mbante motorin ndezur, për t’u nisur menjëherë më pas, pasi vunë në jetë misionin e tyre.
Një tjetër pikë e errët e hetimeve është edhe motivi i vrasjes. Fakti që Tony nuk ka pasur asnjëherë precedentë penalë, ishte mjaft i integruar në komunitetin ku jetonte dhe respektohej nga të gjithë si njeri e punëtor ua vështirëson edhe më shumë punën hetuesve.
Në rrjetet sociale janë të shumta dedikimet e familjarëve dhe miqve të tij për ndarjen e papritur nga jeta të të dashurit të tyre.
Ariton Shaskaj, u vra mbrëmjen e së dielës para picerisë së tij, në sytë e gruas dhe dy fëmijëve të tij të mitur.





