Itali, 29 prill 2014 – E ardhmja e Interit merr formë dhe llogaritë bëhen me laps të hollë në kampin zikaltër ku fillimisht po mendojmë për largimet. Sipas mediave italiane, çështja e rinovimit të Ricky Alvarez është bllokuar prej kohësh pasi argjentinasi kërkon 700 mijë Euro më shumë nga oferta fillestare. Në këtë mënyrë, Atletico Madrid e Borussia Dortmund kanë bërë nga një hap përpara duke menduar blerjen e fantazistit, vlera e kartonit të të cilit shkon 10 mln Euro. Gjithsesi, kjo nuk është një hipotezë që i pëlqen shumë Interit edhe pse gjatë javëve të fundit lojtari ka gjetur shumë pak hapësira për shkak të blerjes së brazilianit Hernanes. Kontrata aktuale e lojtarit skadon në vitin 2016 dhe shoqëria nuk nxitohet për të rinovuar, por kërkesat e shumta nga jashtë mund ta bëjnë presidentin Erick Thohir të mendohet për të arkëtuar të holla që mund t’i investojë më pas në merkaton e verës. Gjithmonë në merkaton dalëse, një tjetër argjentinas bën gati valixhet. Diego Milito përgatit lamtumirën sepse në vendlindje e pret skuadra e Racing ku “Princi” mund të mbyllë karrierën. Përsa i përket çështjes Ronaldo, mbrojtësi portugez i ka bindur të gjithë dhe Interi mund ta blejë përfundimisht nga Porto pasi në fund të këtij sezoni përfundon edhe kontrata e huasë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





