Përballja e shumëpritur mes Interit dhe Barcelonës në Champions League nuk ka sjellë vetëm emocione sportive, por edhe reagime të forta për shkak të çmimeve të biletave. Krahasuar me vitin 2010, tifozët sot duhet të paguajnë 545% më shumë për të ndjekur këtë ndeshje nga tribuna e tretë në stadiumin “San Siro”.

Në kohën e Mourinhos dhe Guardiolës, një biletë për këtë sektor kushtonte 22 euro. Sot, për të njëjtin vend, çmimi është rritur në 120 euro – një ndryshim që ka ngjallur polemika në rrjetet sociale dhe në komunitetin sportiv, duke reflektuar qartë komercializimin e futbollit modern dhe politikën e re financiare të klubeve të mëdha si Interi.

Ndërkohë, “zikaltrit” janë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për sfidën e nesërme në stadiumin “Montjuïc” të Barcelonës, ku do të vendoset fati i një sezoni që mund të jetë historik për klubin italian.

Nga kampi interist ka lajme të përziera. Mbrojtësi francez Benjamin Pavard nuk ka udhëtuar me ekipin për shkak të një dëmtimi që e la jashtë edhe nga seanca e fundit stërvitore. Por në anën tjetër, Marcus Thuram është rikthyer në formacion dhe do të jetë i gatshëm për trajnerin Simone Inzaghi, edhe pse nuk pritet të luajë si titullar.

Formacioni i mundshëm i Interit për ndeshjen ndaj Barcelonës është si më poshtë:

(3-5-2) Sommer; Bisseck, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Carlos Augusto; Lautaro, Arnautovic.

Në qendër të mbrojtjes pritet të luajë trioja klasike me Bastonin dhe Acerbin, ndërsa Bisseck është favorit ndaj Darmian për të zëvendësuar Pavard. Në të majtë, Carlos Augusto mund të marrë vendin e Dimarcos. Mesfusha do të udhëhiqet nga Barella, Calhanoglu dhe Mkhitaryan, ndërsa sulmi do të varet nga forma e Lautaro Martinez dhe Marko Arnautovic.