Teuta arriti një kualifikim historik dy ditë më parë në Andorrë kundër Inter D’Eskaldes teksa triumfoi me rezultatin 3-0. Jo vetëm sepse përmbysi humbjen e ndeshjes së parë (2-0), por edhe sepse nuk kishte shkuar kurrë në turin e tretë të një kompeticioni europian në historinë e saj.
U desh dopieta e Plakut dhe goli me penallti i Kallakut që durrsakët ta kthenin në festë, por nuk ishte edhe aq e thjeshtë ndaj andorrianëve. Përveç avantazhit të dy golave nga ndeshja e parë, ata kishin bërë të gjitha manovrat për të mos i lejuar kampionët e Shqipërisë që t’i përmbysnin, pavarësisht se plani nuk u rezultoi i suksesshëm.
Siç shihet edhe nga fotoja, andorrianët e Inter D’Eskaldes kanë ndryshuar parametrat e fushës para ndeshjes me Teutën. Natyrisht, duke qëndruar brenda kornizës së vendosur nga FIFA, por duke e shkurtuar disi, me shpresën që një fushë më e shkurtër do t’i ndihmonte që të përballonin më mirë shqiptarët. Parametrat standardë të një fushe futbolli janë 110 metra gjatësi dhe 68 metra gjerësi.
Në ndeshje ndërkombëtare gjatësia e fushës mund të tolerohet deri në 100 metra. Gjatësia maksimale e fushës në stadiumin “Andorra La Vella” është 105 metra, por vendësit kanë vendosur ta ngushtojnë me 5 metra (e lejueshme sipas rregullores), por nuk u ka sjellë fat. Teuta, që nuk e kishte të lehtë të luante në një fushë me bar sintetik, arriti të kualifikohej. Klubi durrsak ka siguruar deri tani 1.2 milionë euro nga pjesëmarrja në Champions dhe më pas nga kualifikimi në turin e tretë të Ligës së Konferencës. Në turin tjetër kampionët e Shqipërisë do të luajnë kundër irlandezëve të Shamrok Rovers. Ndeshja e parë luhet në Irlandë, në orën 21:00, më 5 gusht.