Oferta është gati, aty në tavolinë dhe do të zyrtarizohet këtë javë.
Inter, do të rikthehet në aksion më 13 korrik për sezonin e ardhshëm, dhe nuk mund të presë më, ndaj dëshiron të zgjidhë sa më shpejt çështjen e Lukakut, pasi ai është rikthyer te Chelsea për shkak të përfundimit të huazimit.
Një marrëveshje huazimi prej pesë milionë euro dhe maksimumi 30 milionë euro për të drejtën e blerjes: ky është propozimi i klubit zikaltër për blutë pas ‘jo-së’ për rinovimin e huazimit të marrë nga drejtori sportiv Piero Ausilio.
Klubi anglez aktualisht po mendon vetëm shitjen përfundimtare me një pikë fillestare prej të paktën 40 milionë euro.
Do të duhet kohë për të tentuar mbylljen e marrëveshjes: do të fillojë në ditët në vijim, pasi është planifikuar një videokonferencë mes drejtuesve të Interit dhe Chelseat.
Ndërkohë Lukaku, pasi ka refuzuar ofertën monstruoze prej 58 milionë në vit nga Al Hilal dhe nuk e ka marrë asnjëherë në konsideratë hipotezën e Milanit, ai po stërvitet në Sardenjë në pritje të lajmeve për të ardhmen e tij.
Gjithçka për Lukakun, ky është misioni i Interit, në pritje të 18 milionëve nga shitja e Brozovic te Al Nassr dhe ofertës zyrtare nga Manchester United për portierin Onana, për të cilën Inter kërkon të paktën 60 milionë euro.
Më pas, pasi të jenë finalizuar shitjet, drejtuesit e zikaltrve do të zbatojnë sulmin përfundimtar për Frattesin.
Konkurrenca është e madhe dhe e rrezikshme, veçanërisht ajo e Romës, e cila zotëron një pjesë të çmimit të mesfushorit të Sassuolos dhe mburret me 30% në rast rishitje, prandaj të paktën duhen 40 milionë euro.





