Shikojini dhe pretendoni që t’ju argëtojnë, sepse në fushë do zbresin thuajse gjysmë miliardi pagash. Nëse paratë nuk japin lumturinë, në futboll dhe sport shpesh japin dimensionet, forcën e mundësive.
Dhe nëse nuk mjafton definicioni “derbi i Italisë”, vite post-“Calciopoli” (skandalit të madh që i akordoi një titull në tavolinë Interit) dhe klasifikimi aktual, edhe nga paratë vjen konfirmimi që sot Inter-Juventus është “ajka” e futbollit italian.Janë klubet me tavanet e rrogave më të larta, të mundësuara nga xhirot më të mëdha.
Për t’u kuptuar, nuk është një përballje e barabartë, as e afërt, pasi kontribuojnë në mënyra të ndryshme në atë gjysmë miliardi. Skuadra bardhezi kushton më shumë se dyfishi se ajo zikaltër dhe jo vetëm për shkak të 31 milionë eurove në sezon për të transferuar në Torino ëndrrën Kristiano Ronaldo. I dyti, De Ligt, përfiton më shumë se Lukaku, 8 lojtarë kalojnë kufirin e 6 milionëve, që te zikaltrit askush, përveç Romelut, nuk e prek.
Ndër të tjera, klubi milanez është në ndjekje të Juves në këtë aspekt dhe gjatë sezoneve të kaluara ka qenë i detyruar të ndjekë rregullat e bilancit të imponuara nga “Fair Play Financiar” i UEFA-s.
Ndaj, tek Interi në aspektin e pagave janë përpjekur të ndjekin një “rrugë të shkurtër”, duke luajtur “kartën” e kontratës së majme për trajnerin: Antonio Konte, i cilësuar si vlerësuesi i lojtarëve, personi që mund të lejojë të harrohen ato 150 milionë diferencë për të afruar më shumë, më shpejt, me rivalin që duket shumë larg.
Me Konten, me Sarrin, me titullarë dhe lojtarë stoli, nesër në mbrëmje do arrihet kuota 450-500 milionë paga vjetore.
Tashmë rrogat e futbollistëve dhe trajnerëve janë të lidhura ngushtë me bonuset personale dhe në skuadër, me raste edhe të lehta për t’u arritur: jo vetëm falë fitoreve në kampionat apo në Champions, por lidhur edhe me prezencat, golat, pikët; një përzierje e variablave që lejon të qartësohen kostot vetëm kur mbyllet bilanci. Megjithëse të dyja së bashku as nuk i afrohen Barcelonës (671) dhe Realit të Madridit (641)…





