Telashet nuk kanë fund për Interin. Pas humbjes me rezultatin 3-0 në derbin ndaj Milanit, zikaltërit në ndeshjen e ardhshme ndaj Chievos nuk do të kenë në stol trajnerin e tyre Roberto Mancini. 51-vjecari është dënuar me një ndeshje skualifikim nga gjykatësi sportiv i Serisë A, Giampaolo Tosel për fjalët aspak korrekte që shprehu në drejtim të arbitrit Damato dhe asistentëve të tij në përfundim të ndeshjes ndaj Milanit.

Ndikim në vendimin e gjykatësit sportiv për të skualifikuar Mancinin me një ndeshje ka patur edhe gjesti i trajnerit të Interit ndaj disa tifozëve të Milanit. Në momentin kur po i drejtohej dhomave të zhveshjes pasi u përjashtua me karton të kuq nga arbtri Damato, Mancini u tregoi gishtin e mesit disa tifozëve të Milanit që po e ofendonin trajnerin. Një gjest aspak i hijshëm ky i 51-vjecarit italian.

Një tjetër pikë ku u mbështet gjykatësi sportiv Tosel për të marrë këtë vendim kishte të bënte me faktin se Mancini përdori disa fjalë fyese edhe ndaj arbitrit të 4-t të sfidës. Trajneri i Interit u dënua gjithashtu edhe me një gjobë  në shumën e 5 mijë Eurove. Vendimi i gjykatësit sportiv nuk u prit aspak mirë nga 51-vjecari i cili bëri të ditur se nuk do të dalë në konferencë për shtyp në vigjilje të ndeshjes ndaj Chievos, duke i lënë vendin drejtorit sportiv Piero Ausilio. Ndërkohë në takimin e të kësaj të Mërkure Interi do të drejtohet nga zëvendësi i Mancinit, braziliani Sylvinio.