Mesfushori Luka Modric duket gjithnjë e më afër kalimit te Interi. “Il Giornale” raporton se presidenti i Real Madridit, Florentino Perez do të pranonte një marrëveshje në vlerë prej 60 milionë eurosh për Luka Modric.

Kapiteni i Kroacisë ka dalë si një objektiv i ri transferimi për zikaltrit në ditët e fundit, mes spekulimeve që ai dëshiron të largohet nga Santiago Bernabeu për një sfidë të re, pasi ka fituar gjithçka me “Los Blancos”.

32-vjeçari duhet të kthehet në Madrid nga pushimet e tij verore këtë fundjavë, për fazën përgatitore me Real Madridin dhe bisedimet me presidentin Florentino Perez. Perez deklaroi publikisht në fillim të javës se ai nuk do ta konsideronte shitjen e Modric për asgjë më pak se 750 milionë euro, një shifër marramendëse.

Megjithatë, Interi shpreson të nënshkruajë me objektivin e tij me kusht që kroati t’i tregojë presidentit të “Los Blancos” që dëshiron të largohet. Nëse kjo ndodh, “Il Giornale” beson se drejtuesit e Interit do të bëjnë një ofertë prej 40 milionë eurosh – fillimisht 15 milionë euro për huazimin e tij, e ndjekur nga opsioni për të nënshkruar me atë përgjithmonë verën e ardhshme për 25 milionë euro të tjera.

E përditshmja italiane pretendon se kjo do të mjaftonte për ta sjellë Perez në tryezën e negociatave. Gazeta thotë se presidenti i Real Madridit do të donte 25 milionë euro për huazimin, me 35 milionë euro për ta bërë transferimin të përhershëm.

Gjithsesi mbetet të shihet se çfarë marrëveshje do të arrihet mes klubeve, por drejtuesit e Interit kanë qenë në kontakt me agjentët e Modric gjatë javës, ndërsa i kanë propozuar një kontratë katërvjeçare.