Paraqitjet shumë të dobëta dhe munge sa e dëshirës për të luajtur kanë detyruar drejtuesit zikaltër që të mendojnë për një revolucion të vërtetë në skuadër. Zhang dhe kolegët e tij janë shumë të zhgënjyer me impenjimin e lojtarëve dhe këtë gjë ia ka komunikuar Auzilios dhe Zanetit, pas shkarkimit të Stefano Piolit.Edhe pse ata kanë bërë “kurban” trajnerin, nuk kanë ngurruar që t’u tërheqin veshin lojtarëve, duke i thënë se fajtorët për shkarkimin e trajnerit italian ishin pikërisht ata. Drejtori më i ri teknik, Valter Sabatini, ka vendosur të nxjerrë në shitje gjysmën e ekipit, që ka arritur të grumbullojë vetëm dy pikë në shtatë javët e fundit.Është shumë e gjatë lista e lojtarëve që pritet të largohen gjatë merkatos së verës, ku do të shiten ata që nuk e kanë respektuar historinë dhe traditën e klubit, siç kanë përmendur dhe disa kohë më parë ultrasit zikaltër.
Të sigurt për largimin janë: Brozoviç, Nagatomo, Palasio, Murijo, Banega, Santon, Eder, Andreoli, Karrizo, Biabiani, Ranokia dhe Jovetiç, por kësaj liste pritet t’i shtohen dhe emra si Miranda dhe Perisiç, nëse për ta do të mbërrijë ndonjë ofertë shumë e mirë.Por largimeve mund të mos i shpëtojnë as dy blerjet më të fundit Zhoao Mario dhe Gabigol (braziliani mund të dërgohet në huazim diku tjetër). Në verë mund të kemi dhe një largim të mundshëm të Handanoviç.Revolucioni pritet të fillojë që nga porta, ku Handanoviç nuk është më i sigurt për qëndrimin dhe drejtuesit janë hedhur në sulm për të gjetur zëvendësuesin e tij. Auzilio ka nisur kontaktet me portierin e Junajtid, Romero dhe me portierin e Atletikos, Oblak. Në mbrojtje pritet afrimi i dy qendërmbrojtësve, Rudiger dhe me shumë mundësi Pepe i Realit të Madridit.
Në mesfushë Auzilio po mendon të blejë një mesfushor me eksperiencë, ku këto ditë ka qarkulluar emri i De Rosit dhe Kriçioviak i PSGsë, por në sirtar mbetet ëndrra Verati. Në sulm pritet të ketë një rrotacion total, ku Zhang po mendon të blejë një dyshe të frikshme si ajo e Bernardeski-Berardi.Gjithashtu pritet të blihet një mesfushor sulmues, ku këto ditë ka qarkulluar emri i Tolisos që luan për ekipin francez, Lion. Në fund pritet të blihet një zëvendësues i Ikardit, që të arrijë të shënojë të paktën 10 gola. Emri që përflitet është sulmuesi kolumbian i Jiangsu, Martinez.