Inter është duke hedhur hapa konkrete drejt firmës me Antonio Conte si trajneri i ardhshëm i zikaltërve. Luciano Spalletti do të shkarkohet në fund të këtij sezoni edhe pse ka dy vite të tjera kontratë me zikaltrit. Në tavolinën e Conte-s është vendosur kontratë 3-vjeçare, me pagë 9 milionë euro në sezon. I është bërë e mundur që të marrë të gjithë stafin e tij dhe i janë premtuar dy goditje të forta në merkato.
Oferta e parë e zikatërve për ish-trajnerin e Juventusit ishte 8 milionë euro në sezon, mirëpo oferta prej 9.5 mln euro nga Roma ka detyruar Marottan të rrisë me një milionë euro ofertën. Kjo rokadë trajnerësh do i kushtojë Interit plot 80 milionë euro, bashkë me shpenzimet për kontratën e Conte dhe të stafit të tij, duhen llogaritur edhe paratë që do të paguhen për shkarkimin e Spalletti-t, i cili është ende nën kontratë.
Inter pret të marrë 50 milionë euro nga pjesëmarrja në Champions League, do të jetë UEFA që do e lëvrojë këtë shumë të ardhurash. Të gjitha këto para pritet të shkojnë për të bërë dy goditjet në merkato të premtuar për Conte-n. Ndërsa klubi duhet të sigurojë patjetër pjesëmarrjen për në Champions League për sezonin e ardhshëm, që të ketë mundësi të rregullojë buxhetin, duke qenë se janë nën vëzhgim nga “Fair Play” Financiar deri më 30 qershor të vitit 2019.





