TIRANE 13 MAJ 2014 – Rënia e interesit të bonove nuk ndalet. Në ankandet e zhvilluara sot në Bankën e Shqipërisë, bonot me maturim 12 mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 3.4%, nga 3.45% që kishte qënë në ankandin e dy javëve më parë.
Në harkun e një viti, interesi i bonove 12 mujore ka rënë me mbi 40%. Bonot me maturim 6 mujor u shitën sot me normë mesatare të ponderuar interesi prej 3.27%, edhe ky një minimum i ri historik. Krahasuar me një vit më parë, kthimi nga investimi në bonot me maturim 6 mujor ka rënë me 45%. Shifrat tregojnë qartë se bonot janë një investim gjithnjë e më pak fitimprurës, për shkak të uljes drastike të normës bazë të interesit dhe pjesëmarrjes së lartë të sistemit bankar në ankandet e titujve të qeverisë.
Prej dy vitesh tashmë, bankat po investojnë gjithnjë e më shumë në letrat e borxhit të qeverisë, në mungesë të një kërkese të shëndetshme për kredi nga sektori privat i ekonomisë. Kjo situatë favorizon së shumti qeverinë, që paguan më pak interesa për borxhin. Të fituar janë edhe kredimarrësit në lekë, që e kanë interesin të ndërtuar mbi atë të bonove.
Në një shkallë më të ulët, interesat e ulëta të bonove dhe instrumenteve të tjera favorizojnë edhe kredimarrësit e rinj, sepse sot interesat e kredive në lekë janë mesatarisht më të ulëta krahasuar me një vit më parë. Ata që humbasin janë investitorët në instrumente financiare, duke filluar nga individët. Ulja e normës bazë dhe e bonove, kombinuar me një kreditim të dobët, ka bërë që edhe interesat e depozitave të zbresin në vlerat më të ulëta të regjistruara ndonjëherë.
/SCAN TV/





