Shqipëria mori pjesë në Europianin e Gjermanisë dhe e mbylli këtë turne me një pikë të fituar, atë kundër Kroacisë. Përtej të gjithë pritshmërisë dhe faktit se mund të merrnim më shumë nga ky turne, në fund duhet të marrim anën pozitive.
Kemi thënë gjithmonë se Shqipëria është “Kroacia e re” e Ballkanit dhe më pas kemi humbur apo barazuar karshi rivalëve si Andorra apo Moldavia. Këtë herë vërtetuam në mesin e Gjermanisë, se Shqipëria dhe Kroacia nuk kanë diferenca me njëra-tjetrën. Plaga mbyllet shpejt dhe entuziazmi për këtë Kombëtare është shumë i madh.
Tashmë është momenti që nis Liga e Kombeve, ndërsa ndeshja e parë që do të zhvillohet në vendin tonë do të jetë ajo e 10 shtatorit, kundër Gjeorgjisë, në Air Albania. Interesi për Kombëtaren është i çmendur. Vetëm dy ditë nga dalja në shitje e biletave dhe deri tani janë 5000 bileta të blera nga ana e tifozëve. Pavarësisht se kjo ndeshje do të zhvillohet pas dy muajsh, pavarësisht se jemi në mesin e pushimeve verore, pavarësisht se ndeshjet e Kombëtares sapo kanë përfunduar, duket se Shqipëria i ka ngrohur të gjithë tifozët dhe ata kërkojnë që të mos mungojnë në asnjë moment në spektaklin kuqezi.