Një grup banorësh të zonës së Spitallës kanë kontaktuar me redaksinë e DurrësLajm për të ngritur shqetësimin e tyre për ndotjen ambientale që shkakton prej shumë vitesh kanali që e përshkon mes për mes lagjen nr.15.

Banorët shprehen të indinjuar me bashkinë e Durrësit, që nuk ndërhyn në këtë kanal prej vitesh, ndërsa qytetarët janë të detyruar të jetojnë me erën e rëndë që ngrihet nga kanali ku bashkohen ujërat e bardha me të zeza së bashku me mbeturinat që dekompozohen në qiell të hapur.

“Pushteti lokal dhe ai qëndror interesohen për këtë lagje, me të paktën tridhjetë mijë banorë, vetëm në kohë fushatash. Çdo katër vjet ata vijnë me premtime dhe nuk bëjnë asgjë. Sot në kohë pandemie, ky kanal është frika më e madhe e një lagje të tërë”.- shkruhet ndër të tjera në letrën e mbërritur në redaksinë tonë.

“Jemi shumë të pakënaqur nga pushtetarët e të gjitha ngjyrave. Ata e shikojnë postin vetëm e vetëm për interesat e tyre personale dhe nuk merren me hallet e komunitetit e mbi të gjitha me mirëmbajtjen e territorit. Banorët e Spitallës prej vitesh e konsiderojnë si vatër infeksioni kanalin që përshkon përmes lagjen, kanal që fillon në muret e spitalit të qytetit e mbaron tek Hidrovori në Porto Romano”,- vazhdon më poshtë letra e banorëve.

Të dëshpëruar nga harresa për vite e vite të tëra e pushtetarëve, që votohen për të mbajtur premtimet dhe përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve, grupi i banorëve të Spitallës kërkon ndërhyrje urgjente për mbylljen e kanalit dhe transformimin e tij në një hapësirë publike për komunitetin. Banorët paralajmërojnë edhe mbledhjen e firmave për një peticion që do t’ia dorëzojnë bashkisë së Durrësit.

“Banorët e Spitallës po organizohen në mbledhjen e firmave për një peticion për izolimin e ketij kanali, për të shtyrë Bashkinë e Durrësit që të fillojë një projekt serioz për të mirën ambientale e shëndetësore të qytetarëve sa më shpejt”.- përfundon letra e një grupi banorësh të Spitallës.