“Inter luan një futboll arkaik, të ngjashëm me atë të viteve ‘60”, deklaroi pak ditë më parë ish trajneri i mirënjohur italian, Arrigo Sacchi, megjithatë menjëherë ka replikuar një tjetër emër i njohur, legjenda e trajningut, Fabio Capello.Ai ka hedhur poshtë konstatimin e Sacchit, duke sjellë në vëmendje se Interi është skuadra që ,ka shënuar më shumë e ka pësuar më pak, teksa edhe kontrolli i topit e rastet e krijuara, konfirmojnë forcën e zikaltërve.

“Nuk jam dakord me Sacchin, pasi shifrat janë kokëforta dhe konfirmojnë se Interi është skuadra që mban më shumë topin, krijon më shumë raste, ka shënuar më shumë gola dhe ka pësuar më pak se të gjithë ekipet e Serisë A. Zikaltrit vendosen shumë mirë në fushë dhe shpesh bëjnë presing larg, ashtu si në raste të caktuara lëshojnë metra për të provuar kundërsulmin. Bologna ka fituar me një gjuajtje e gjysmë përballë zikaltërve që sulmuan për 90 minuta, ndaj këtu një element mjaft i rëndësishëm ishte edhe fati”, tha Capello.

Një vit më parë Interi fitoi titullin me Antonio Conten dhe këtë sezon synon të përsëritë të njëjtin sukses me Simone Inzaghin në pankinë, teksa Capello vlerëson jo pak edhe ish teknikun e Lazios, aktualisht në stolin zikaltër.“Interi i Contes kishte në organikë Lukakun e Hakimin, dy futbollistë shumë të shpejtë, idealë për të goditur në kundërsulm. Këtë sezon skuadra po bën shumë mirë, por nuk ka ata lojtarë të shpejtë, ndaj Interit të Inzaghit u duhen më shumë pasime për të shkuar te goli”, tha Capello.