Romelu Lukaku ka lënë pas dëmtimin në kofshën e tij të majtë dhe pritet të jetë i gatshëm që në ndeshjen e së shtunës mbrëma ndaj Fiorentinës, në stadiumin “Artemio Franchi”, në orën 20:45. Sulmuesi belg është shumë pranë rikthimit, teksa qëndron larg fushave të blerta që më 28 gusht. Pas këtij lajmi, klubi zikaltër sheh përtej të tashmes. Sipas asaj që raporton e përditshmja sportive italiane “La Gazzetta dello Sport”, Interi ka në dorë akordin me Çelsin për huazimin edhe për një tjetër vit të bomberit belg.

Drejtuesit e dy klubeve do të takohen në përfundim të këtij sezoni dhe do të arrijnë marrëveshjen për huazimin 1-vjeçar përsëri në Milano të 29-vjeçarit.Sipas medias italiane, klubi zikaltër në verën e vitit 2024 do të përfshijë huazimin me të drejtë blerjeje për ta mbajtur përfundimisht futbollistin duke parë se londinezët nuk e duan ta rimarrin përshkak të paraqitjeve zhgënjyese që pati në Angli.Aktualisht në këtë sezon në Serinë A me fanellën e Interit, Romelu Lukaku është aktivizuar gjithsej në 3 ndeshje duke shënuar 1 gol dhe duke dhuruar po aq asiste për shokët e skuadrës.