22 janar 2015 –  San Siro në këmbë që thërret emrin e një shqiptari, atë të Xherdan Shaqirit. Ishte pikërisht Shaqiri që në minutën e 73-të largoi ankthin e zikaltërve duke shënuar golin e avantazhit ndaj Sampdorias në Kupën e Italisë, në një ndeshje të dominuar jo vetëm me numra në fushë por gjithashtu dhe në lojë nga ana e Interit përballë një kundërshtari që e mbylli takimin me 9 vetë dhe 0-2 në rezultat.

Në fakt, kurioziteti i të gjithë ishte i tëri për të parë në aksion nga minuta e parë Shaqirin dhe Podolskin dhe Mancini ja dha këtë mundësi duke i përfshirë të dy në formacionin titullar. Ndeshja nisi mirë për Interin jo vetëm sa i përket ritmit, pasi në të 12-tën Icardi u ndalua teksa po i drejtohej portës nga Krsticic që u ndëshkua me të kuq si lojtar i fundit duke lënë në inferioritet miqtë. Superioriteti Interit megjithatë nuk po konkretizohej dhe në të 37-tën gaboi dhe Icardi nga pika e bardhë. Në pjesën e dytë presingu i vendasve u bë mbytës por mungoi goli, të paktën deri në të 73-tën, kur një asist i Podolskit me takë gjeti të lirë Shaqirin për golin e tij të parë zikaltër.

Pasi vulosi epërsinë, Mancini e zëvendësoi duke i dhënë mundësinë dhe të një tjetër "standing ovation" nga tifozeria zikaltër. Ndërkohë që Samp vazhdoi të humbiste të tjera forca në fushë, pas daljes me të kuq të Wzloek në të 78-tën. Nga kjo përfitoi Icardi që në të 88-tën realizoi dhe golin e dytë duke ja dedikuar atë vajzës së tij të porsalindur Francesca.

2-0 për Interin rezultati përfundimtar me zikaltërit që kalojnë tashmë në cerekfinalet e Kupës së Italisë.