04 janar 2015 –  Interi është një nga skuadrat më aktive në merkaton që sapo ka nisur. Për të kënaqur trajnerin Roberto Mancini i cili u ka kërkuar drejtuesve dy sulmues krahu, klubi zikaltër po punon fort dhe pas Lukas Podolskit është shumë afër transferimit në Milano të Xherdan Shaqirit i cili mesa duket ka vendosur ti thotë po Interit, të paktën kështu raporton presitgjozja italiane Gazzetta Dello Sport. Fillimisht u mendua se 23-vjecari i kombëtares zvicerane do të transferohej te Juventusi por bardhezinjtë sëfundmi u tërhoqën nga gara për të firmosur me Shaqirin duke i lënë rrugën e lirë Interit, megjithatë zikaltërit duhet të mposhtin konkurencën e Liverpoolit që e pëlqen tejmase futbollistin me origjinë kosovare. Momentalisht Interi qëndron në pole-position pasi dëshira e Shaqirit është të transferohet në Milano sepse te skuadra zikaltër sulmuesi i talentuar pritet ta ketë të sigurtë vendin në formacion kjo edhe për faktin se trajneri Roberto Mancini beson shumë te aftësitë e 23-vjecarit. Ditët e kaluara vëllai dhe menaxheri i djaloshit nga Gjilani, Erdin Shaqiri u pa në qëndrën stërvitore të Interit në Appiano Gentile me këtë të fundit që bisedoi  nga afër me njeriun e merkatos të klubit zikaltër Piero Ausilio për një transferim të mundshëm të Xherdan Shaqirit në San Siro.

Gjithsesi Interi për të marrë shërbimet e 23-vjecarit duhet të bindë drejtusit e Bayernit të cilët janë jo pak të tunduar nga oferta e Liverpoolit prej 15 milionë Eurosh. Ideja e presidentit Erick Thohir është ti propozojë drejtuesve bavarezë huazimin e lojtarit për 6 muaj dhe ta blejë atë përfundimisht verën e ardhshme për 12 milionë Euro shifër disi më e ulët kjo se ajo që propozon klubi anglez. Megjithatë në datën 7 Janar është programuar një takim mes Piero Ausilios dhe Karl-Heinz Rummeniges ku do të diskuotohet për arritjen e një marrëveshjeje që mundë të kënaqë të gjitha palët e përfshira në këtë mes. Gjithmonë sipas asaj që zbulon Gazzetta Dello Sport, Interi pritet ti ofrojë Shaqirit një kontratë tre vjecare nga e cila futbollisti i kombëtares zvicerane do të përfitojë 2 milionë Euro plus bonuse në sezon. Me shumë mundësi do të jetë Xherdan Shaqiri goditja e dytë Interit në këtë merkato dimri.