Interi i vitit 2021 është një skuadër për në librin e rekordeve. Me fitoren 0-5 në fushën e Salernitanas që i dha mundësinë për t’u shkëputur në krye të Serie A për momentin skuadra e Simone Inzaghit theu një rekord 71-vjeçar. Zikaltrit kaluan kuotën e 100 golave në një vit kalendarik në Serie A, teksa me 55 golat e shënuar në gjysmën e dytë të sezonit të shkuar me Antonion Conten në stol ku u shpallën kampionë Italie dhe me Simone Inzaghin në këto 18 javë të para të këtij sezoni, kanë realizuar në total 103 gola në kampionat për vitin 2021.
Rekordi i Interit ishte me 99 gola i vendosur në vitin e largët 1950. Në sfidën ndaj Torinos banda zikaltër do të ketë mundësinë ta thellojë këtë rekord. 55 gola Interi i shënoi me Conten në gjysmën e dytë të sezonit të shkuar dhe 48 i ka realizuar me Inzaghin në fazën e parë të këtij sezoni. Edhe Atalanta mund ta kapë kuotën e 100 golave në vit kalendarik nëse shënon minimalisht 1 gol në dy sfidat e ardhshme, ndërkohë që rekordin absolut e mban Milani me 120 gola të shënuar po në vitin e largët 1950.





