Itali, 13 prill 2014 – Mauro Icardi dhe Samir Handanovic rikthejnë Interi te fitorja në Serinë A pas plot katër takimeve. Në “Luigi Ferraris” të Genoas zikaltërit triumfuan me rezultatin e thellë 4-0 ndaj skuadrës së Mihajlovic, një rezultat që të krijon përshtypjen e një fitoreje të lehtë të milanezeve, por që nuk ishte aspak e tillë.
Dy gola të Mauro Icardit dhe një super Handanovic ishin çelësi i suksesit për Interin që me këtë fitore hodhi një hap të sigurt drejt pjesëmarrjes në Europa League sezonin e ardhshëm. Edhe pse Sampdoria kishte një marsh më shumë në fillim të ndeshjes, vetëm 13 minuta iu deshën skuadrës së trajnerit Walter Mazzarri për të kaluar përpara. Ishte pikërisht Mauro Icardi ai që ndëshkoi ish ekipin e tij kur pas një krosimi të Palacios goditi bukur brenda zone duke mposhtur portierin Da Costa dhe duke iu përgjigjur në fare mënyre tifozëve vendas për ofendimet në drejtim të tij. Megjithatë nuk ishte e thënë që Interi të mos vuante edhe në këtë sfidë.
Në minutën e 18-të Ranochia bëri një gabim foshnjarak teksa pengoi në zonë Gastaldellon që ishte me kurriz nga porta. Arbitri nuk kishte dyshime duke akorduar 11-metërsh. Goditjen nga pika e bardhë e mori përsipër Maxi Lopez që gjeti në rrugën një super Handanovic me sllovenin që e dërgoi topin në goditje këndi. Gjithsesi vetëm 2 minuta më vonë sfida u vështirësua akoma më shumë për Sampdorian pasi Eder la fushën me karton të kuq. Por edhe pse mbeten me 10 lojtarë dorianët deri në përfundim të pjesës së parë patën disa mundësi të tjera për të barazuar, por gardiani zikaltërve në çdo moment ishte në lartësinë e duhur.
Me startin e fraksionit të dytë te Sampdoria u ndje shumë lodhja dhe Interi që kishte në fushë përveç kualitetit edhe një lojtar më tepër nuk fali. Në të 60-n Walter Samuel shfrytëzoi një harkim nga këndi të Hernanes duke shënuar me kokë golin e dyfishimit për skuadrën e tij. 3 minuta më pas Sampdoria pësoi edhe të tretin me Icardin që sigloi dygolëshin personal. Por 11 minuta para fundit kishte festë edhe për Rodrigo Palacion që shënoi golin e 4-tërt të takimit dhe të 15-tin sezonal.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





