Interi është në kërkim të pasuesit të Sommer për portën dhe zgjedhja e parë është Vicario, i cili dëshiron të kthehet në Itali, por Tottenham ka pretendime të larta ekonomike.E ardhmja e portës së Interit duket e shkruar: Yann Sommer, që së shpejti mbush 37 vjeç, duhet t’i japë lamtumirën skuadrës në fund të sezonit, duke mos rinovuar kontratën. Nuk ka ende garanci për t’ia besuar fanellën e titullarit Josep Martinez, kështu që është i nevojshëm një investim në merkaton e verës.
Drejtuesit e Interit duan Guglielmo Vicario, një profil që jep garanci. Ekspert, por jo “i vjetër”. Portieri i Tottenham, i vitlindjes 1996, është dëshirë e hershme e Interit, që e tentoi edhe në vitin 2023, para se të firmoste me Sommer. Dy vjet më pas Vicario ka fituar më shumë eksperiencë ndërkombëtare, ka debutuar në Champions League dhe në kombëtare. Ka fituar Europa League si protagonist me “Spurs”.
Portieri mund ta konsiderojë Interin si një ëndërr profesionale, duke ditur që idhulli i tij është Handanovic. Ai ka gjithashtu dëshirë të kthehet në Itali, ngaqë kohët e fundit është kritikuar nga një pjesë e tifozëve anglezë.Vullneti i portierit është i qartë, ndërsa pengesa është çmimi i transferimit. Tottenham ka kontratë deri në fund të 2028-ës me portierin, nuk e ka të nevojshme shitjen. Anglezët e vlerësojnë kartonin e Vicario 25-30 milionë, ndërsa Interi nuk mund të investojë më shumë se 20 milionë euro. Mbetet të shihet si do të zgjidhet pjesa financiare për të mundësuar rikthimin e Vicario në Serinë A.





