Ditë rinovimesh për Interin. Klubi zikaltër ka bërë të ditur se ka zgjatur marrëveshjet ekzistuese me dy elementë të rëndësishëm për Simone Inzagin, protagonistë të sezonit të fundit që ndihmuan ekipin të shkonte deri në finalen e Ligës së Kampioneve.

Mbrojtësi Alesandro Bastoni, i cili ishte kthyer në një nga emrat më të kërkuar në merkato, kryesisht nga klubet angleze, ka zgjatur bashkëpunimin deri në vitin 2028 me zikaltrit, duke i dhënë fund të gjithë zërave për një largim të tij. Bastoni është bërë shumë shpejt një figurë qendrore në prapavijën e Interit dhe me këtë firmë, bëhet tashmë një nga shtyllat e ekipit zikaltër.

Ndërkohë, ka rinovuar edhe Hakan Çalhanollu. Mesfushori turk, i cili erdhi te Interi nga radhët e Milanit duke qenë tashmë protagonist absolut në ndeshjet derbi mes dy skuadrave, ka firmosur kontratën e re që e lidh me Interin deri në vitin 2027. Edhe ky i fundit është kthyer në një të padiskutueshëm për Inzagin, i cili e ka përshtatur mjaft mirë me skemat e tij në këtë cikël që ka nisur te zikaltrit.