Nga Gladiola Jorbus

Dihet rëndom që imazhi i vendit tonë në massmedia lë shumë për të dëshiruar. Konotacionet negative ndihen jo vetëm tek të huajt, por gjithashtu dhe te shqiptarët në diasporë. Të jesh larg Shqipërisë dhe të shohësh lajme apo të lexosh gazeta që ndërlidhen me aktualitetin dhe problematikat e saj është një rrugëtim golgote, një sprovë thuajse çnjerëzore. Meqenëse i përkasim një vendi të cilin bota e njeh shumë pak, ç’ka përhapet rreth nesh besohet, edhe pse gjykimet mund të jenë shumë të cekëta dhe të rreme, në lidhje me popullin tonë.

            … Shumë të huaj shkruajnë marrëzira për Shqipërinë, se nuk e kanë njohur vendin më parë dhe ashtu, s’kanë ku të mbështeten për të matur pikën e arritur në të sotmen. (F. Konica).

Shqiptarët janë një grup etnik evropian që kryesisht është autokton në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë Perëndimore, Serbinë Jugore, në Juglindje të Malit të Zi dhe në Greqinë Veriperëndimore, të cilët kanë origjinë, kulturë dhe gjuhë të përbashkët. Ky është një përkufizim nëse mund ta quaj të tillë (shkencor, real a proverbial), të cilin disa syresh e pranojnë, të tjerë mezi e gëlltisin, të tjerë akoma e kontestojnë, kurse ata më indiferentët e quajnë informacion.

            Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë. (F. Konica).

 Shqipëria konsiderohet një vend shumë i varfër nga pikëpamja ekonomike, por shumë i pasur në pasuri natyrore. Pabarazia e skajshme mbretëron midis shtresave të ndryshme të popullsisë, një bashkëjetesë simbiotike e poshtëruese; të gjitha simbolet e pasurisë dhe luksit si prona, resorte, banka, vila u përkasin disa fatlumëve që krekosen e venerohen përballë kanotiereve të grisura e barqeve të uritura të mjeranëve të shkretë.

            Nga lartësia e piedestalit ku zuzarët kapardisen me poza gjysmë-perëndish, ne do t’i asgjësojmë me një të goditur. (F. Konica)

 O shqiptar është shumë e trishtë, kur ndihesh mirë larg vendit tënd! Familjet shqiptare ushqehen me paratë e fituara në mënyra të ligjshme ose të paligjshme. Kështu, me përmbysjen e diktaturës, një praktikë sa moderne, aq dhe e hershme rilindi; koncepti i vjetër ekonomik i ujdhesës  Ballkanike, që konkretisht në Shqipëri emërtohet me fjalën turke "kurbet": të moshuarit, fëmijët, gratë e martuara qëndrojnë në shtëpi, mund të punojnë me mëditje ose të kujdesen minimalisht për tokat e veta, ndërkohë që burrat dhe të rinjtë shpërndahen si zogjtë e korbit nëpër botë duke kërkuar punësim dhe strehim. Të ardhurat që sjellin në Shqipëri lehtësojnë mbijetesën e familjes. Shqiptarët nuk kanë nevojë të ngopen me lugë bosh, janë lodhur tashmë nga fjalimet e bukura, plot retorikë politike e pa asnjë vlerë apo rrezatim moral e pozitivbërës. Kushdo që vë në lojë durimin e sprovuar të shqiptarëve nuk mund të konsiderohet dashamirës i mirëqenies së tij ekonomike, shpirtërore, mendore etj. Aty ku mungojnë veprat dhe ndryshimet favorizuese, vërshojnë lumenj fjalësh të lidhura sipas rregullave gramatikore me njëra – tjetrën, por krejtësisht të flashkëta e pa asnjë kuptim për semasiologjinë, madje janë fjalë të paafta për të ringjallur interesin e handakosur te njerëzit.

            Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (F. Konica)

 Nga ana tjetër ne mbetemi, gjithnjë sipas parametrave tona "një popull shumë korrekt, i ndërgjegjshëm, inteligjent, bujar, mikpritës, i përgatitur, serioz" dhe duket se të tjerët na bien kot në qafë. Për të mos folur se sa "tolerantë e solidarë" jemi me njëri-tjetrin. O Zot, ku t'ia bëjmë gropën shokut, sa më parë !

            Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (F. Konica)

Po nejse, helbete damar mesdhetar, kolerikë, nervozë, të rrëmbyer e impulsivë. Duket sikur prej kohësh kemi harruar të ndiejmë mirësi dhe të transmetojmë mirësi. Jemi shndërruar në një popull që ironizon figurat fetare e kombëtare, tall mësuesin, miopin për shkurt e thërret "qorr", teksa i zë dritën e diellit fqinjit me pallatin e pakuptimtë shumëkatësh, që sapo e përfundoi së ndërtuari; një popull që vritet për një vend parkingu, për një vështrim a fjalë goje, blen diploma, tituj e pozicione pune, flakëron profesionistët në rrugë, nuk mban përgjegjësi, nuk njeh limite, justifikohet me frazat klishe “periudhë traanzicioni”, “krizë vlerash”, shkel me vetëdije ligjin, abuzon me postin etj…

            Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. ( F. Konica)

Nga  ana tjetër hiqemi si patriotë të flaktë duke valëvitur flamuj, hiqemi si shenjtorë duke agjëruar, duke predikuar leksione fetare, duke ndezur qirinj, duke anashkaluar “paksa” faktin se dikur i shkulëm nga themelet kishat, teqetë e xhamitë. Kjo është hipokrizi, karshillëk i hapur dhe dashakeqësi e pashembullt.

Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (F. Konica)

Për të mos e përmendur, se sa të respektueshëm jemi mes nesh, kudo qofshim, sidomos kur u shpikim e sajojmë lloj-lloj marifetesh, pretekstesh e justifikimesh bashkëqytetarëve për t’ua vështirësuar në maksimum marrëdhëniet administrative – ligjore e burokratike; pa i hequr asnjë presje faktit se shqiptarët shpeshherë, rregullat e ligjet i keqkuptojnë dhe i emërtojnë si padrejtësi, sepse ende nuk është gjallëruar tek ne, ndërgjegjja shoqërore. Dhe kjo më kujton pareshtur thënien e intelektualit të ndjerë italian Vitaliano Brancati: "Nëpunësit, në çdo vend të botës, kur vishen me pushtet absolut bëhen tiranë aq të tmerrshëm sa perandorët romakë duken si fëmijë para tyre”.

            Kur tinzarinë e përdor si diplomaci, poshtërsinë si shkathtësi, harbutërinë si forcë, domosdo të duket vetja i papërballueshëm. Por betohem për kamxhikun e Skënderbeut se në rastin më të parë do të bëj të ndërrosh mendim! (F. Konica)

Top of Form

Eh, moj Shqipëri e pafat! E rrethuar nga male e shkrepa, e sunduar nga bij e bija të paepur për pasuri, që të shëmtojnë e të çnderojnë, që të vjelin e të shkelin. Bashkatdhetarët poshtërojnë bashkatdhetarët, e nga ana tjetër fajësojnë të huajt. Pseudoelita, të korruptuarit, injorantët, të paformuarit, mediokrit, servilët, të paskrupulltit të zaptuan moj hallemadhe, e tash duhet me u dorëzu para fatit e faktit. Edhe sa mund të durosh, e enjtur nga goditjet e njëpasnjëshme dhe nga pangopësia e tejskajshme e kolltukofagëve?!

            Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri!

(F. Konica)

Shtypi botëror numëron krimet e shqiptarëve. Gazetarët ankohen se shqiptarët nuk duan të punojnë, preferojnë të vjedhin, të tregtojnë mishin e bardhë dhe të përdorin armë për të imponuar interesat e tyre vetjake. Shqiptarët shfaqen si hajdutë, të dhunshëm, të pagdhendur, të përfshirë në etikën e ligjvënies e hakmarrjes mesjetare …

             Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. (F. Konica)

Vetë populli gjatë diktaturës së proletariatit, pothuajse nuk e praktikoi këtë lloj dhune ndërmjet vetes për dekada të tëra, përveç dhunës psikologjike; më pas vijonte lufta e klasave dhe ekzekutuesit e pamëshirshëm të ligjeve komuniste. Mijëra të pafajshëm, njëlloj si te”Procesi” kafkian janë paditur për ato që nuk kanë kryer e nuk kanë menduar kurrë, pa qenë të pandehur sipas rregullave, por u sendërtuan pa shkak në statistika armiqsh të popullit, të vrarë “si qen” e të internuar në kundërshtim të plotë me ligjet që mbrojnë të drejtat e njeriut, pa qenë fajtor ose pa e marrë vesh fajin, si ç’ndodhi rëndom me shumë qytetarë të vendeve ku  mbizotëruan  ideologjitë totalitare.

            Armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve janë vetë shqiptarët. (F. Konica)

Rebelohem, në fakt të shumtë rebelohemi, por asnjë rezultat. Po bindem fort e më fort. Të gjithë e kemi kuptuar se në botë, emri shqiptar nuk tingëllon pozitivitet, mezi gëzon simpati, nuk imponon autoritet. Ekzistojnë dhe përjashtimet, që na ngrohin zemrën, S’dua të tregohem as nihiliste e as cinike. Po përmend: Gjergj Kastrioti, Karl Gega, Papa Klementi XI, Aleksandër Moisiu, Jim Belushi, Ismail Kadare, Anri Sala, Tedi Papavrami, Angjelin Preljocaj, Eliza Dushku, Rita Ora, Genti Kame, Ermal Meta etj.

            Kombi [iliro-shqiptar] i Diokletianit, i filozofit Julian, i Justinianit, është një komb i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat. (F. Konica)

Një gazmaraz tejet sarkastik mbetet opinioni i një personaliteti italian mbi vendin tonë, të cilin e krahasonte me një tokë të prirur për të prodhuar barinj e bujq, të cilët e kanë baltën kudo: në duar, në shputat e këmbëve e mbi të gjitha në mendje. Ndaj Shqipëria s'mund të përparojë. Ç'parathënie tragjike e historisë së re të një qytetërimi antik ! Nga njëri sistem në tjetrin, nga njëra dorë tek tjetra; kapërcejmë shpresëndezur e optimistë dhe rezultojmë gjithnjë e më të zhgënjyer, më të pashpresë, më të pamotivuar në përfundim të mandateve. Akuzojmë udhëheqësit, partitë politike, epokat historike, ndonjëherë i gërshetojmë të gjitha bashkë e në fund antropolizohet një gjallesë amorfe, pa rrasht e bosht kurrizor. Ç’mbeti nga shqiptari, nga gjuha e tij e fuqishme që flitej nga heronjtë e zotat, nga roli i tij antagonist e antipushtues?

            Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. (F. Konica)

 Vërtet që dhe italianët ndonjëherë asociohen me mafian apo gjermanët me nazizmin, por ne të gjorët që s'po reshtim së qeni mishërimi i  dhunës, injorancës, kriminalitetit duke u shndërruar kështu në dele të zeza, para syve të botës.

Ç’ka Italia që vlen të merret? Makaronat dhe kamorren, hiçgjë tjetër. Për makaronat, s’kemi nevojë, se kemi patatet tona; kamorren e kemi marrë dhe, shyqyr perëndisë, e kemi përmirësuar dhe rregulluar me një sistem më të mbaruar se italianët vetë. (F.Konica)

 Ekziston një lloj frike e përbuzje deri në ksenofobi ndaj nesh, dhe kjo nuk reflektohet vetëm tek fqinjët grekë a serbë, por edhe më gjerë. Pse ndodh kjo? Ç’energji gjeofizike burojnë nga toka jonë?

            Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut.(Faik Konica)

Sepse në vend që të integrohemi e të sillemi me dinjitet, në vend që të punojmë për të ardhmen e vendit e të fëmijëve tanë, vetëshkarkohemi nga përgjegjësitë, reagojmë primitivisht dhe rendim si të marrë, t'i arrijmë majat brenda ditës, nën moton makiaveliste “se qëllimi justifikon mjetin”. Nuk shohim trungun mbi kryet tanë, por fijet e elektrizuara të flokut mbi tempujt e pamposhtur të botës së qytetëruar. Merremi me zgjidhjen e problematikave botërore dhe nuk studiojmë veten e çështjet jetike. Pësojmë dhe marrim dhunë, mosrespekt, brutalitet, mallkime. Më sillen ndër mend veprat e Eugjen Joneskos e më duket sikur ai ka shkruar dhe për ne. Personazhet e tij, në të shumtën e rasteve duken si marioneta, vazhdimisht pësojnë disfata.

            Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot.

(F. Konica)

Fan Noli, apostulli i kohëve moderne para 94 vjetësh shprehej: – Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i pesë anarkive” (fetare, sociale, patriotike, morale, e idealeve). E pra, do të shtoja unë, për fatin tonë të keq, anarkia vazhdon dhe na qëndron mbi krye si shpata e Damokleut…

Mirëpo a duhet të dorëzohemi? Atë që morëm trashëgimi mund ta përmirësojmë dhe ta kultivojmë me dashuri. Shumë kritika, shumë skepticizëm, shumë trysni, por aspak dashuri mes nesh.

            Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (F. Konica)

Ekzistenca e një individi, ideje, e më gjerë një kombi nuk mund të jetë e tillë. Ndaj në emër të jetëve të palindura, të rinive të pajetuara e të fëmijëve tanë të shtrëngojmë duart me njëri – tjetrin, të solidarizohemi, (pa ngjyrime fetare, politike, racore, krahinore, dialektore, shtresore); por të përveshim mëngët e të thurim ëndrrën e shqiponjës që fluturon krenare brenda dhe jashtë kufijve, që nuk mohon origjinën, që flet shqip me kryet lart dhe sillet me dinjitetin e një qytetari model që zbaton ligjin dhe nuk cyt cilësinë e jetës së bashkatdhetarit.

            Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (F. Konica)

Ashtu siç mbartim dhe na etiketojnë me vlerën e harmonisë fetare, (vëllazëri) atë të mbrojtjes e mbështetjes që iu dhamë hebrenjve gjatë Luftës II Botërore, (besnikëri e mikpritje) tashmë të mirënjohura botërisht, përse të mos i bashkëngjisim dhe të tjera vlera morale ?! Fatmirësisht sot, Shqipëria renditet si një nga aleatet më të vendosura të Amerikës, veçanërisht në luftën globale kundër terrorizmit (paqe dhe liri). Dhe ky është një tjetër impakt pozitiv që reflektojmë. Sepse nuk mundet kurrsesi të mohohet fakti që edhe pse një vend me shumicë religjioze myslimane, kemi një shekull që frymojmë si popull pro-amerikan, plot bindje e dëshirë.

            Pavarësisht nga luftërat, shkeljet dhe turbullimet e paprera në tërë kohën e shkuar, populli shqiptar, me forcën e vullnetit dhe fuqinë e tij të kundërshtimit, ka qenë i zoti të mbajë gjallë, jo vetëm gjuhën e tij të njohur nga filologjistët si më e vjetra në Europën Juglindore, po edhe ca nga traditat e tij të moçme. (F. Konica)

Liderët e Kombeve të Bashkuara janë figura tejet dinamike e kontributive që janë renditur gjithnjë krah Shqipërisë. Qenësinë tonë ia dimë për nder ish presidentit Ë.Ëilson (Uillson) që ndali planin shpërbërës për vendin tonë, na e dhuroi neve votën e tij dhe nuk pranoi t'ia dorëzonte copat e Shqipërisë, fqinjëve të saj detarë e tokësorë.

 Pas këtij kalvari, pas përpjekjeve titanike për të ruajtur kufijtë, a është logjike të përdhosim e të shkatërrojmë simbolet tona, figurat historike, vlerat e transmetuara?! Përse të mos bashkojmë idealet e aspiratat me përvojat empirike dhe autoritetin moral për të ç’rrënjosur korrupsionin e gjithçka negative që buron prej tij?!

Të mundohemi ta duam nënën Shqipëri pa interes, pa hile, pa intriga e dredhi ! Më shumë më tremb e keqja që mund t’i bëhet në ardhmëri, sepse të keqen e së shkuarës e njohim dhe kemi mësuar ta administrojmë. Të derdhim mbi nënën e përbashkët më shumë dashuri se sa kemi derdhur plazmë jete. Ndoshta Toka e përgjakur do të na falë dhe e ardhmja do të jetë triumfuese për ne. Ua kemi borxh brezave e filizave që po rriten.

            Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (F. Konica)

(Hamendësim: Një udhëzim për ju, vajzë e mbarë, –Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë, që të bjerë [tingëllojë] në vesh çdo tog germash si një copë muzikë. Tani, natën e mirë, se m’u qepnë sytë. ( F. Konica)