Konferenca e 51-të Rajonale Europiane e INTERPOL, zbarkon në datat 11, 12 dhe 13 qershor në Tiranë. Delegacionet që vijnë nga të gjitha vendet anëtare të organizatës ndërkombëtare pritet të shkojnë në gati 200 persona, ndërsa organizimi i saj në Shqipëri është një tjetër mundësi për vendin për të përshfaqur në arenën ndërkombëtare prestigjin dhe mbështetjen. Konferenca do të mbahet në Pallatin e Kongreseve dhe pjesëmarrës do të jenë drejtues të përgjithshëm të INTEPOL dhe zëvendës të tyre. Ftesa nga autoritetet shqiptare është bërë edhe për ministra, të cilët mendohet se do të udhëtojnë drejt Tiranës në 3 ditët e punimeve të konferencës.
Për të zhvilluar punimet e këtij eventi, Kuvendi i Shqipërisë do të kalojë me procedurë të përshpejtuar, seancën e 16 majit, marrëveshjen e Shqipërisë dhe INTERPOL, mbi privilegjet dhe imunitetet e delegacioneve pjesëmarrëse. Në këtë marrëveshje thuhet se vendi organizator ka detyrë ruajtjen e sigurisë së delegacioneve dhe dhënien e privilegjeve për aq kohë sa janë të pranishëm dhe për këtë ngarkohet Policia e Shtetit. Përfaqësuesit e ICPO-INTERPOL-i do të kenë të njëjtat privilegje dhe imunitete që zakonisht u jepen organizatave ndërkombëtare, imunitet nga procesi ligjor dhe nga ekzekutimi i procesit ligjor në çështje civile, administrative dhe penale.
Aktualisht, puna vijon për logimin dhe brandimin enkas për aktivitetin. Mbetet e paqartë agjenda e punimeve, ndërsa burime pranë Ministrisë së Brendshme thonë se kjo është në varësi të vendimmarrjes së INTERPOL për publikim të asaj që do të diskutohet, megjithatë baza mbetet e njëjtë, roli i organizatës në luftën kundër krimit klasik dhe formave të reja që sa vijnë dhe perfeksionohen dhe rëndësia e shkëmbimit të informacionit mes anëtarëve të saj.
Sfidë mbetet lufta kundër trafikimit të drogës, krimi ekonomik, kibernetik e më gjerë. Të gjitha shpenzimet për organizimin e kësaj konference do të mbulohen nga buxheti i Policisë së Shtetit dhe arrijnë vlerën e 20 milionë lekëve. Një vit më parë konferenca u mbajt në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërsa për disa muaj autoritetet shqiptare lobuan që konferenca e radhës të kryhet në Tiranë, ftesë që u pranua nga INTERPOL