Europol koordinoi fazën e tretë të operacionit Shield, një përpjekje globale për të goditur trafikimin e barnave të falsifikuara si dhe substancave doping. Operacioni u drejtua nga Franca, Greqia, Italia dhe Spanja dhe përfshiu policinë dhe autoritetet doganore nga 28 vende (19 shtete anëtare të BE-së dhe 9 vende të palëve të treta, mes tyre edhe Shqipëria).

Operacioni u zhvillua nga prilli në tetor 2022.

Gjatë operacionit, oficerët e rendit shpërbënë 59 grupe kriminale dhe arrestuan ose raportuan në organet e drejtësisë 349 të dyshuar.

Njëkohësisht, autoritetet sekuestruan sasi masive të barnave të keqpërdorura, të falsifikuara ose të skaduara, produkte dhe substanca dopingu dhe suplemente të paligjshme ushqimore dhe sportive, si dhe vaksina të falsifikuara kundër COVID, produkte sanitare dhe pajisje mjekësore.

Substancat doping dhe ilaçet për mosfunksionimin erektil ishin ndër sendet më të sekuestruara.

Në operacionin Shield III u sekuestruan mbi 40 milionë euro, më shumë se 10.5 milionë njësi ilaçesh dhe substancash dopingu. Janë sekuestruar mbi 1 milion teste të falsifikuara për COVID. Janë kryer 195 hetime, 349 të dyshuar janë arrestuar ose raportuar në organet gjyqësore, janë hetuar 59 grupe të krimit të organizuar.

Gjithashtu u mbyllen 10 laboratorë nëntokësorë, 588 faqe interneti të monitoruara, u kapën mbi 74 000 dërgesa.

Nga 3 526 kontrolle antidoping të kryera 39 rezultuan pozitive.

Ndërkohë që rrjetet kriminale po shfrytëzojnë ende mundësitë e ofruara nga pandemia COVID-19, trafikimi i barnave dhe pajisjeve mbrojtëse ka pësuar një rënie të ndjeshme për shkak të vëmendjes së lartë ndaj temës dhe monitorimit intensiv nga forcat e rendit.

Qeveritë që ofrojnë vaksinat pa kosto kontribuan në krijimin e një situate të pafavorshme për kriminelët që synojnë të ushqejnë një treg të paligjshëm. Në këtë operacion u përfshinë:

Shtetet Anëtare të BE-së: Austria, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Irlanda, Italia, Lituania, Holanda, Polonia, Portugalia, Rumania, Sllovakia, Spanja.

Vendet e palëve të treta: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kolumbia, Gjeorgjia, Islanda, Maqedonia e Veriut, Serbia, Zvicra, Shtetet e Bashkuara.