Ajo është një ndër këngëtaret ikonë e viteve ‘80. “Më the të dua”, “E duam lumturinë”, “Në moshën e rinisë”, e shumë të tjera ishin hitet që frymëzonin të rinjtë e dikurshëm, këngë të cilat edhe sot i kanë rezistuar viteve.

Bëhet fjalë për Parashqevi Simakun, një nga këngëtaret më të dashura shiqptare, e cila e la Shqipërinë në vitin 1992 për të filluar një tjetër jetë përtej oqeanit, në Amerikë. Për një periudhë nuk pati asnjë lajm prej saj, derisa u rikthye në vitin 1997, në një kohë të vështirë për vendin. Asokohe ajo dha një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga, e cila nuk u publikua  për shkak se gazeta “Koha Jonë” u dogj po në atë kohë, saktësisht në mars 1997. Intervista u ripublikua e plotë në maj te vitit 1997. Qysh atëherë, Simaku nuk ka folur më publikisht dhe të pakta janë lajmet rreth jetës së saj.

Në shkurt 1997, në intervistë me gazetaren Rudina Xhunga, në Hotel Rogner, ajo rrëfen për martesën e saj, romancat e vjetra të lëna përgjysmë, idealet e saj dhe jetën e re në “Tokën e Premtuar”. Ndoshta për herë të parë publiku shqiptar njeh një anë tjetër të Parashqevi Simakut, atë jashtë skenës, jashtë kamerave dhe televizionit. Po a ka ndonjë datë që zor se shuhet nga kujtesa e Simakut?

“Dita e të dashuruarve. Në 14 shkurt ’96, Robert, im shoq më propozoi martesë. Atë mbrëmje shkurti, ai më ftoi në restorantin Xhons të Beverly Hills, ku më dhuroi unazën e familjes së tij. Më pas mësova se po në atë restorant ishte martuar dhe Merlin Monro”, pohoi me emocion këngëtarja, e cila tregoi edhe se me bashkëshortin nuk ka pasur ndonjë romancë dashurie; e vetmja dashuri e saj është muzika, pa harruar vendin e rëndësishëm që zë familja. Ata punonin bashkë, ai instrumentist, ajo këngëtare. E kështu filloi historia e tyre.

Unë kujtoj t’i kem thënë: “Puno me mua, ose dashurohu me mua”, ndërsa ai m’u përgjigj se nuk do t’i pëlqente t’i ndante. Ai është shumë simpatik dhe unë duke i lënë refuzimet mënjanë, i shpjegova, që më parë duhet të respektonte traditën e vendit tim, pra t’i kërkonte dorën e vajzës, prindërve të mi, me anë të një letre. Kjo në fillim s’i pëlqeu shumë, por duke shkruar një letër të gjatë, të gjatë, nisi t’i dukej gati zbavitës fakti që iu shkruante dy njerëzve të panjohur, kundrejt të cilëve ndjente detyrim shpirtëror. Prindërit e mi i kthyen përgjigje pas dy javësh dhe pasi u prezantova në familjen e tij, për të dy nisi një jetë tjetër, një jetë e përbashkët që na duket sikur do të vazhdojë përjetësisht. Me kohë, kam kuptuar se ia vlen të ndash jetën tënde me një njeri të mrekullueshëm si Robert.”, vijoi bisedën Simaku.

E pyetur për jetën e saj në Shqipëri dhe romancat e lëna pas, Parashqevia zbuloi detaje nga një lidhje e cila rezultoi të ishte e pamundur. “Nga Shqipëria ika zemërthyer prej lidhjes me një njeri, i cili dukej se ecte në një rrugë krejt të kundërt nga e imja. Kur kuptova se sado të përpiqesha, rrugët tona s’do e kishin kurrë një pikë të përbashkët, sakrifikova dhimbjen time, për t’u larguar drejt së panjohurës, por jo me ide krejt të paqarta, pse ajo që gjithmonë më ka udhëhequr, ka qenë ambicia për të ecur në rrugën e artit. Unë jam munduar të ruaj nga ajo histori dashurie vetëm të mirat, të bukurat, të cilat i kam bërë pjesë të jetës sime. I jam mirënjohës atij njeriu për ç’më dha dhe kam hedhur në harresë gjithë vuajtjet dhe dhimbjet. Kishim ideale të kundërta. Por e vetmja gjë që ndieja për të, ishte dashuri.”

Përpos anës intime, ajo tregoi se në Amerikë ka punuar fort për të bërë realitet gjithë ëndrrat e saj; përveç këngës edhe kompozonte. Një nga ëndrrat ka qenë edhe “Hollywood-i”. Në jetën e saj atje ka takuar njerëz të cilët më parë i ka pasur ëndërr për t’i takuar, por falë këmbënguljes së saj dhe njerëzve që e mbështesnin, u bënë pjesë e realitetit. /Dritare.net