Intervistoi Mila Ballhysa

Përfshirja e kryeministrit Edi Rama në vendin e tetë në listën e kandidatëve për deputetë për qarkun Durrës i ka vënë socialistët para sprovës për të përsëritur rezultatin historik të regjistruar në vitin 2017. Por për kandidatin Lefter Koka, objektivi i shpallur nga kreu i socialistëve më 8 mars është i arritshëm.

“Çdo forcë politike hyn në garë për të fituar. Unë mendoj se PS dhe Rama objektivat e tyre i kanë vendosur mbi disa baza konkrete, mbi disa objektiva që konsiderohen të arritshëm dhe kjo sigurisht vjen për shkak të punëve të bëra”,- thotë Koka në një intervistë të gjatë për “DurrësLajm”.

Për kandidatin Koka, i cili prej disa muajsh tashmë është pjesë e partisë me të cilën nisi karrierën politike, rikthimi në PS është pritur mirë.

“Rikthimi në këtë parti më ka bërë të ndihem më i fortë. Kam gjetur shumë miq të vjetër, por edhe shumë të rinj që premtojnë dhe kanë ambicie politike”,- thotë Koka.

Konsumimi prej 8 vitesh në pushtet i PS-së duket se nuk e tremb deputetin që në këto zgjedhje kërkon mandatin e katërt në Kuvend, pasi ai rendit si arritje të qeverisë Rama menaxhimin e mirë të dy fatkeqësive natyrore, tërmeti dhe pandemia.

“Nuk besoj se kjo qëndron, ndaj janë zgjedhjet, që çdo 4 vite të vlerësojmë punën e një qeverisje, për ta rivotuar apo për të bërë rotacion politik. Kanë kaluar 8 vite, por besoj se qytetarët shqiptarë dhe ata durrsakë mund ta bëjnë dallimin dhe të mendojnë nëse do të ishte ndryshe. Jo vetëm e mira nuk ka fund, por edhe e keqja nuk ka fund. Qytetarët durrsakë kanë ambicien për ta patur një jetë shumë më cilësore”,- deklaroi Koka.   

Muajin e fundit, në adresë të tij, LSI ka artikuluar akuzat lidhur me atë që e cilësojnë “aferë e inceneratorëve”. Por sipas ish-deputetit të LSI-së, damkën që këto parti kanë, duan ta largojnë duke njollosur të tjerët.

“Ajo që me keqardhje shoh rëndom në këto parti është që njollën apo damkën nuk mundet dot të ta largojnë duke njollosur të tjerët. Nuk është kjo mënyra e duhur. Unë besoj kam bërë më të mirën për vendin”,– deklaron Koka, lidhur me vendimet e marra gjatë kohës kur drejtonte dikasterin e mjedisit, ndërsa thekson se Shqipëria ka nevojë për gjëra më të thjeshta, më konkrete dhe jo për njerëz që “ndotin ekranet”.

Ndërsa përsa i përket arsyeve se pse durrsakët duhet t’i besojnë atij dhe PS-së mandatin e radhës qeverisës Koka përgjigjet:

“Unë nuk besoj se një deputet i vetëm mund të bëjë ndryshimin e madh në Shqipëri apo në qytet, por unë do të jem po aq i përkushtuar sa kam qenë për Durrësin. Besoj se kam njohjen e nevojshme të të gjitha problematikave infrastrukturore, turistike etj dhe bashkëpunimi me të gjithë deputetët e qarkut Durrës, por sigurisht edhe me qeverinë shqiptare do të jetë maksimal për të bërë të mundur një ndryshim akoma më cilësor në qytetin tonë”.