Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas intervistës nga qelia të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili foli për veten, familjen, Edi Ramën dhe të ardhmen e Kosovës.
Në një mesazh të ndarë në rrjetin social Facebook bashkë me intervistën, Rama thotë se ndaj Thaçit po zhvillohet një gjykim që sa më shumë vazhdon, aq më shumë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit themelor demokratik të “procesit të drejtë”.
“Dhe me këtë intervistë të Presidentit të Republikës së Kosovës e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mikut tonë e vëllait tim Hashim Thaçi, i cili ka folur për herë të parë qysh nga dita e kyçjes në burgun e Hagës, ku po zhvillohet një gjykim që sa më shumë vazhdon, aq më shumë ngre pikëpyetje mbi nivelin e respektimit të parimit themelor demokratik të “procesit të drejtë”, ju uroj një ditë të mbarë të gjithëve ju, në Shqipëri e në Kosovë”, shkruan Rama.
Pas afro tri vitesh që nga arrestimi i tij nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë ekskluzive për “Nacionalen” ka folur për veten, familjen, takimin me Ramën, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës, domosdoshmërinë jetike të vendit që të qëndrojë në aleancën e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe për nevojën e mbylljes njëherë e përgjithmonë të çështjeve me Serbinë – në njohje të ndërsjellë.