TIRANE, 3 qershor 2013 – Kryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi ishte i ftuar mëngjesin e sotëm në emisionin “Koha për tu zgjuar” me gazetarin Bashkim Hoxha në “News 24”. Lideri i FRD-së komentoi fushatën e nxehtë elektorale, ndërsa e vuri theksin tek ndryshimi, që sipas tij do të sjellë Fryma e Re Demokratike në vend. I pyetur nga qytetarët nëse FRD është për rotacion politik në vend, Topi u përgjigj: “Unë e kam thënë mëse njëherë që FRD është jo vetëm parimisht, por edhe konkretisht për rotacion politik në Shqipëri. Ky pushtet dhe ky kryeministër duhet të largohet me votë. Besoj që është në të mirën e Shqipërisë që të ketë jo vetëm rotacion të pushtetit, por dhe të elitave, gjeneratave”.
INTERVISTA E TOPIT ME BASHKIM HOXHEN
Dje kam ndjekur lajmet, kishte shumë të bërtitura nga lajmet që sillte fushata elektorale. Ndoshta ngaqë kryetarët e partive i flasin më shumë njëri-tjetrit në distancë se sa qytetarëve që kanë përballë. Madje dje kishte fishekzjarre dhe daulle në “Pallatin e Kongreseve”. Ju shquheni për një sjellje më të matur dhe pak bërtitëse. Si ndjeheni ju me këtë sjellje brenda kësaj fushate?
Së pari ju falënderoj që më ftuat në këtë studio. Dëshiroj të jap vlerësimin tim për këtë komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët. Mund t’ju them që unë pres që çjerrjet të shtohen. Por nga pikëpamja fiziologjike zëri do të meket, sepse duke bërtitur shumë, kuptohet fuqitë e liderëve tanë janë të tilla që kur të vijë dita e zgjedhjeve, zëri i tyre do të meket dhe në plan të parë do të vijë zëri i qytetarëve. Unë besoj nuk është gjë tjetër, vetëm një mekanizëm komentues për atë që politika nuk ka bërë. Këtu e kam fjalën së pari për ata që janë në pushtet, por duke i parë nga afër, duke i njohur nga afër, besoj që edhe opozita ka qenë e pamjaftueshme në misionin e saj për të realizuar atë çka duan qytetarët. Kështu që unë e shikoj mëse të natyrshme sjelljen e tyre, por të pakuptueshme për vitin 2013 politika i është larguar programeve, i është larguar shqetësimeve të qytetarëve dhe po merren me njëri-tjetrin me tone të larta. Kanë krijuar një lloj kakofonie që është e dëmshme për marrjen e mesazheve në funksion të qytetarit.
Po ndoshta kjo ndez më shumë militantin. Sepse është fakt që pavarësisht fushatave që zhvillohen, në fund të fundit në qendrat e votimit kanë shkuar kryesisht militantët për të hedhur votën, ata që kanë vendosur që më parë se për cilin do të votojnë. A mendoni se keni mundur ju si FRD të zgjoni mjaftueshëm interesin e votuesve për FRD-në?
Militantët janë shumë të rëndësishëm, por janë të rëndësishëm për partitë. Unë mendoj që më i rëndësishëm është qytetari racional, që ka problemet e ditës. Zgjedhjet nuk bëhen për militantët Bashkim. Zgjedhjet politike bëhen për të ndryshuar pikërisht mentalitetin qeverisjes. Edhe në ato raste kur qeverisja përsëritet, çdokush ka prokupacionin që qeverisjen ta bëjë më mirë. Ndërsa në rastin konkret unë them që është një qeverisje që ka qenë larg pritshmërisë së qytetarëve. Në këto kushte FRD, që ka një përbërje shumë cilësore brenda radhëve të saj, i është dashur të demonstrojë projektin e vet politik, por nga ana tjetër të përballojë atë që krijohet sidomos nga partia në pushtet. Pushteti sot është kudo, është i pranishëm edhe aty ku nuk e merrni me mend. Tani fushata nuk ka kaluar drejtpërdrejt me qytetarin, por nëpërmjet medias. Duke ardhur nga Tirana në Durrës, dhe ju e keni parë, çdo ditë shikon elementë të rinj butaforikë. Parulla kudo, ka një lloj helmimi të klimës urbane, vetëm e vetëm me pjesën sipërfaqësore të fushatës. Liderët politikë e kanë harruar këtë komunikim dhe unë do dëshiroja që të kishte një debat , në studio televizive midis njerëzve që drejtojnë partitë politike, sepse tek e fundit do të drejtohet Shqipëria e 4 viteve që vijnë.
Me sa vë re unë, ju doni të nënvizoni që FRD i drejtohet qytetarit?
Në mënyrë absolute. Ne kemi pasur një slogan që nga fillimi, FRD për shtetin dhe qytetarët. Në Shqipëri ka qenë një tranzicion dramatik, që në kushte të tjera duhet të kishte përfunduar brenda një dekade. Trauma pafund në këtë vend, dhe vazhdojmë të kemi të njëjtët protagonistë që vazhdojnë të krijojnë të njëjtën klimë traumatike.
Nga pikëpamja e llogarive elektorale, ju ja vështirësuat garën FRD-së duke mos marrë pjesë në asnjë koalicion me partitë e mëdha. Përse ishte kjo zgjedhje?
Së pari nuk ishte një zgjedhje personale, ishte një zgjedhje gati gati në unanimitet. Edhe emërtimi Fryma e Re Demokratike erdhi nga ajo që ekzistonte në terren. Ekziston një frymë ndryshe nga ajo që aplikon pushteti, qoftë dhe opozita. Ka shumë njerëz që nuk ndjehen të përfaqësuar, ju e keni parë edhe në sondazhe, ose ndjehen të pasigurt, nëse do të shkojnë në zgjedhje apo jo. FRD nuk iu bashkua asnjë koalicioni. Natyrisht koalicionit të majtë nuk mund t’i afrohej, sepse ndan dukshëm pozicioni i FRD si një parti e qendrës së djathtë. Ndërsa me PD në mënyrë të dukshme na ndan morali politik, morali i qeverisjes. Ne jemi kritikues për shumë gjëra dhe sot ajo që është e dukshme është se pushteti ka vendosur në këmbët e tij shtetin , madje në këmbët e një njeriu është gjithçka sot.
Ju flisni për frymë të re, por njerëzit janë po ata, që vërtiten nga partia në parti. Madje edhe ju keni qenë në poste të larta drejtuese. Keni patur mundësi të ndërhynit si kryetari i KLD-së në sistemin e drejtësisë që ende vuan nga korrupsioni dhe probleme të tjera. Si mund të sillni realitete të tjera tani, kur i bie të keni më pak kompetenca?
Duhet të kuptohet që gjëja më e rëndësishme në një vend, sidomos kur rinovohet parlamenti, është të kuptohet që çdo institucion, përfshirë edhe Presidentin dhe KLD, çdo institucion buron nga institucioni i parlamentit. Unë do ta argumentoj vetëm me miratimin së fundi të ligjit për Gjykatën e Lartë. Kaq kohë, ka qenë politika që e ka bllokuar dhe që e realizoi këtë ligj brenda 3 minutave. Gjithçka që ndërtohet në një vend, vjen si rezultat i një pune të mirë apo të dobët të parlamentit. Aty ku ka pasur vullnet politik ka reforma dhe aty ku nuk ka vullnet e bashkëpunim s’ka reforma. Çdo e keqe që i vjen demokracisë dhe institucioneve në Shqipëri vjen nga politika.
Ku qëndron diferenca apo avantazhi juaj në raport me partitë e tjera që garojnë në këto zgjedhje, veçanërisht me partitë e mëdha?
Unë besoj që FRD ka një profil të qartë qytetar, që do të thotë që përfaqëson interesat bazale të qytetarëve. Eshtë një parti që po e tregon që nuk i jep rëndësi pjesës sipërfaqësore, por thelbit. Ne e kemi konsideruar pushtetin shumë të rëndësishëm për administrimin e institucioneve, por pushteti duhet të vendoset në funksion të shtetit. Ajo për të cilën Shqipëria vuan prej vitesh është ose mungesa e shtetit, ose pamjaftueshmëria e shtetit. Administrata, siç po e dëshmon dhe kjo fushatë elektorale,ose është një administratë e frustruar, ose shkon me dëshirë në të gjitha mitingjet e partive, duke u rreshtuar dhe duke u bërë njësh me politikën. Paradoksi më i madh në Shqipëri sot, përderisa diskutojmë për shtet në një Republikë Parlamentare, mendoni sa paradoksale është fakti që pretenduesi i fronit mbretëror sot shërben si këshilltar i Presidentit. Përfytyroni në një konflikt interesi, sa sipërfaqësore janë gjërat në Shqipëri. Kjo mënyrë propagande që po bëhet është një fyerje direkte për qytetarët, të cilët sot kanë probleme pa fund. Para dy ditësh ishte 1 qershori. Këta i kanë vjedhur festën fëmijëve. Fëmijët janë fëmijë, jo vetëm që po i vidhet fëmijëria, festat, ata ndoshta po bëhen të përgjegjshëm aq sa të rriturit për gjendjen e tyre katastrofike.
Fjalori juaj shpesh sjell fjalët kornizë ligjore, kompetencë, gjuha e ligjit dhe të tjera si këto, që të funksionojë një frymë e re demokratike në shoqërinë shqiptare, çfarë duhet të ndryshojë sipas jush?
Së pari duhet që çdo politikan, i cili predispozohet për tu futur në politikë, duhet të kuptojnë që e ardhmja e këtij vendi nuk është parada elektorale, që bëhet me shumë pompozitet. Kur telefonat hapen për qytetarët dhe mbyllen 24 orë pasi mbaron fushata. Ajo që nevojitet është të krijohen ligje të mira reforma të mira dhe të respektohen. Mendoj që duhet shumë përputhshmëri midis idesë, për tu marrë me politikë, politikës që realizon ligje, dhe së pari zbatimi i ligjit duhet të bëhet nga politikanët që jetë jenë shembull për realizimin e ligjit.
Nëse dalin dy partitë e mëdha 68 me 68, katër votat e Topit nga do shkojnë? Nga do anulojë vota juaj në një situatë të mundshme?
Fakti që FRD nuk hyri në koalicion me asnjë parti, tregon që do të demonstrojë profilin e vet dhe në momentin kur të kemi realizuar këtë kontratë me qytetarin, ju siguroj që koalicioni jonë nuk do të jetë koalicion pazaresh, por në interes të qytetarëve.





