AFRIKE E JUGUT, 21 shkurt 2013 – “Nuk dua që gënjeshtrat të shkatërrojnë marrëdhënien tonë. Dhe nuk dua që karriera e tij të pengohet, është një atlet fantastik”. Këto janë disa fraza të shkëputura nga intervista e fundit që modelja Reeva Steenkamp ka dhënë disa ditë para se të vdiste. Steenkamp është intervistuar nga revista “Heat Magazine South Africa” pak ditë para 14 shkurtit, dita e fundit e jetës së saj.

30 vjeçarja fliste për herë të parë për raportin e saj me Oscar Pistorius, një dashuri kjo që të dy e kishin mbajtur larg paparacëve.

“Nuk kemi folur për ne të dy në media, sepse nuk doja që historia jonë të helmohej”,- rrëfente Reeva. E di si ndodh; shpikin histori të tipit 'Reeva tradhton Oscar' dhe trillime të tjera. Nuk dua që gënjeshtrat të vënë në rrezik marrëdhënien tonë”.

Gjatë intervistës vazja e re nuk lë pa përmendur edhe të dashurin, i cili tani akuzohet si autor i vrasjes së saj. “E adhuroj Oscar-in. E respektoj dhe e admiroj shumë. Por është një histori që sapo ka nisur, prandaj duam pak kohë për veten tonë”,- thoshte Reeva gjatë intervistës.

Që prej një jave i dashuri i saj Oscar Pistorius është arrestuar dhe akuzohet për vrasje të paramenduar. Duket se shkaku i grindjes mes tyre, ditën e 14 shkurtit, ishte një sms në telefonin e Reevës, i dërguar nga miku i saj, kampioni afrikano jugor i regbisë Francois Hougaard.  

/m.b. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/