Intervista e transmetuar dje në emisionin “Porta a Porta” të gazetarit italian Bruno Vespa në kanalin “RAI 1″, me djalin e mafiozit më famëkeq të Italisë, Toto Rina, Salvo Rina, ka shkaktuar polemika të ashpra në mbarë Italinë.
Transmetimi i kësaj interviste në emisionin më të ndjekur në Itali, me djalin e “Shefit të Shefave” ka sjellë një stuhi mediatike. Familjet e viktimave të Toto Rinës e kanë quajtur këtë intervistë si një “vrasje të dytë të tyre”. Vetë disa drejtues të RAI-t kanë qenë kundër transmetimit të saj.
“Të dëgjosh një rrëfim nga një djalë që nuk gjykon dhe nuk dënon veprimet e të atit të tij është e vështirë për t’u pranuar. Nuk mund t’u japim në media të njëjtin dinjitet si viktimave ashtu dhe autorëve”, tha presidentja e RAI-t, Monica Maggioni.
Toto Rina, i arrestuar në vitin 1993, njihet si “Shefi i Shefave” të familjeve mafioze siçiliane. Ai akuzohet për dhjetëra krime dhe masakra mafioze, mes të cilave dhe vrasjen e prokurorëve Xhovani Falkone dhe Paolo Borselino. Po ashtu edhe djali i tij Salvo Rina sapo ka përfunduar dënimin me 8 vjet burg për pjesëmarrje në organizatë mafioze.
Para transmetimit të intervistës, Partia Demokratike e Mateo Renzit, 5 Yjet e Bepe Grillos, Komisioni Antimafia i Parlamentit Italian dhe gruaja e Xhovani Falkones kërkuan që intervista të mos transmetohej. Drejtuesit e Komisionit Anfimafia kanë kërkuar takim me drejtuesit e RAI-t për të dhënë sqarime mbi motivet e transmetimit të një interviste që shkaktoi kaq shumë reagime.
Por pavarësisht kësaj, bordi drejtuesi i “RAI 1” vendosi transmetimin. Gazetari Bruno Vespa nuk hoqi dorë nga intervista e cila u transmetua mbrëmë. Përballë kritikave ai solli vetëm një argument. “Për të luftuar mafien duhet ta njohim atë dhe ky rrëfim do të na bëjë të kuptojmë më mirë si funksionon mafia”, tha Vespa.
Çfarë tha Salvo Rina gjatë intervistës?
Kur u pyet nëse e kritikonte të atin, ai tha: “Nuk më takon mua të gjykoj. Ai është babai im. Një fëmijë mund të mos bjerë dakord me ato që bën babai, por këto nuk mund t’i thotë në publik. Është babai im”.
I pyetur për vrasjen e Xhovani Falkones dhe Paolo Borselinos, Salvo Rina tha: “Çfarëdo që të them për ta, do të keqpërdorej. Nëse shpreh një mendim, ky mendim do të instrumentalizohet. Unë kam gjithmonë respekt për të vdekurit. Për të gjithë të vdekurit”.
Rina tha se ka kaluar një fëmijëri të qetë edhe pse prindërit nuk e kanë lënë të shkonte kurrë në shkollë. “Ne kemi qenë pak ndryshe, jetonim ndryshe dhe asnjëherë babai nuk na tregonte se cilat ishin shqetësimet e tij”, tha Rina.
Intervistën mund ta shihni duke klikuar këtu.