Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për kanalin televiziv Top Channel, ka deklaruar se reforma në sistemin e drejtësisë nuk ka ngecur dhe se nuk ka krizë mes tij dhe Ilir Metës.

I pyetur për mungesën e konsensusit në nivel ekspertësh për dokumentin e reformës në sistemin e drejtësisë, kryeministri Rama tha: “Pasi të merret raporti final [nga Komisioni i Venecias], komisioni parlamentar do të ulet për të diskutuar e miratuar mbi bazën e raportit final nen për nen ndryshimet kushtetuese.” Sipas kryeministrit, mendimet e ndryshme janë një gjë normale kur bëhet fjalë për një reformë kaq të rëndësishme. “Kjo është një reformë historike, themelore në proçesin e shtetndërtimit dhe jetike në përpjekjen për të transformuar sistemin e drejtësisë, – tha kryeministri. – Dhe, si e tillë, do të ishte anormale të mos kishte diskutim, debat dhe kundërshtime.”

Sa i përket interesimit të kanalit televiziv Top Channel për unitetin e mazhorancës, dhe veçanërisht marrëdhëniet e tij me Ilir Metën, kryeministri Rama la të nënkuptojë se, ndonëse mund të kenë ndonjë ndryshim në pikëpamje, objektivi i tyre mbetet i njëjtë dhe mazhoranca është e qëndrueshme. “Ndaj absolutisht të njëjtin qëndrim, por i qëndroj bindjes se konsensusin me opozitën nuk mund ta kërkojmë në havanë e sherrit politik, por mbi bazën e raportit final të Komisionit të Venecias, – tha kryeministri Rama. – Konsensusin e garanton këndvështrimi i Komisionit të Venecias, duke u bazuar në faktin se të gjitha palët e konsiderojnë atë pikë referimi të besueshme e të palëkundur.”