Prof. Arqile Teta (foto: Panorama)

Profesor Arqile Teta nuk përton kurrë të flasë për gjeologjinë dhe pasuritë minerare të Shqipërisë. Një ndër ekspertët më të njohur të kësaj fushe në vendin tonë, ai është njëherësh edhe një studiues i pasionuar i gjuhës e kulturës polake, vendit ku ka kryer studimet shumë vite më parë. Në këtë intervistë për "Java", Prof. Teta analizon gjendjen në të cilën ndodhet industria minerare, perspektivën e mineraleve si kromi, bakri e hekur-nikeli, duke u ndalur edhe në pasojat shkatërrimtare të tranzicionit, mbi këtë sektor jetik për ekonominë shqiptare. Prof. Teta mendon se nëntoka shqiptare ka ende sasi të mëdha mineralesh. I vetmi problem, thotë ai, janë njerëzit mbi tokë. Intervistë nga Skënder Minxhozi.

Prof. Teta, ka një debat të vazhdueshëm në skenën politike dhe në media, në lidhje me mënyrën e shfrytëzimit të vendburimeve tona minerare në njëzet vjetët e fundit. Si ekspert me përvojë i kësaj fushe, cila është përgjigjja që i jepni ju kësaj dileme? Si i kemi shfrytëzuar burimet minerare në këto vite? 

Si unë dhe kolegë të tjerë, kemi shkruar e kemi folur në media për problemet e mëdha e të rënda të shfrytëzimit të vendburimeve tona minerare në këto njëzet vitet e tranzicionit. Edhe ata specialistë që nuk kanë folur, jo se janë dakord dhe e mbështesin këtë mënyrë shfrytëzimi, por e ndjejnë se janë të pafuqishëm dhe thonë “kot që të flasësh, se e ka marrë ferra uratën”, e me këtë fjalë të urtë, populli shpreh mendimin se nuk ndreqet më. Është gjithashtu e vërtetë se deri më sot nuk kam dëgjuar ndonjë politikan që të lavdërojë apo të mbështesë këtë sistem a mënyrë shfrytëzimi të vendburimeve minerare, siç flasin për shembull për rrugët, tunelet, qendrat e mëdha tregtare; apo t’i bjerë gjoksit e të thotë “shihni sa mirë e organizuam industrinë minerare!, shihni sa rendiment të lartë ka!, shihni sa vepra të bukura dhe eficente janë ndërtuar në miniera!” etj. si këto, siç bëjnë për disa objekte apo reforma, që nuk dihet ende çfarë do të japin apo si do t’u dalë fundi.

Industria jonë minerare u ngrit pothuaj nga hiçi pas çlirimit të vendit dhe arriti një nivel të atillë, sa ishim krenarë të krahasoheshim dhe me vende me tradita minerare. Nxirrnim nga thellësi mesatare 300-600 m rreth 1.3 milion krom, e renditeshim si vendi i tretë në botë për prodhimin e këtij minerali, ndërsa ishim të parët për prodhimin e sasisë së kromit për frymë. Po kështu, edhe për bakrin ishte mbyllur cikli i përpunimit të tij, deri në prodhimin e telave e kabllove elektrike. Ndërsa për hekur-nikelin u ndërtua një kombinat i fuqishëm metalurgjik. Zgjeronim e thellonim minierat me kapacitetet tona intelektuale. Në miniera dhe në institucione projektimi, nuk kishte të huaj. Në to punonte vetëm stafi shqiptar, i përgatitur në universitetin tonë dhe fare pak jashtë shtetit. Projektonim dhe ndërtonim puse vertikale deri 500 m thellësi dhe me diametër 4-5m. U zbatuan teknologji bashkëkohore të nxjerrjes dhe të pasurimit të mineraleve.

Zhvillimi i minierave dhe i fabrikave të pasurimit, civilizoi mjaft vende të largëta pa rrugë, pa drita e pa punësim. Pra, ishte një industri e ngritur që sigurisht kishte nevojë për modernizim, mekanizim, automatizim, që me fonde e koncesione do t’u afrohej e do të barazohej me standardin evropian. Por nga 1992 e deri 1997 ajo dalëngadalë u la pas dore e u shkatërrua nën parullat demagogjike, që u shndërruan në ideologji vetëvrasëse të “rrafshimit në zero” dhe të “çekut të bardhë”, deri sa më 1997 minierat e fabrikat e pasurimit të mineraleve u bënë rrënoja. U shkulën dhe shinat e u sharruan kullat metalike të puseve, e së bashku me makinat ngritëse të ashensorëve minerar, me kosto disa qindra mijëra euro secila, u dërguan për skrap.

Krahas industrisë minerare, keq e mos më keq e pësoi dhe industria mekanike. E keqja më e madhe është se e gjithë ajo masë specialistësh të mesëm e të lartë, e përgatitur në vite, u largua, ose iku jashtë, ose u specializua në fusha e profesione të tjera.

Industria minerare, pasi u shkatërrua, u privatizua. Asnjë vend, edhe nga ato anëtare të BE-së nuk e kanë të privatizuar 100% industrinë minerare deri më sot, pa përmendur pastaj vendet e Ballkanit. Madje u avancua aq në rrëmujë e pa largpamësi, sa pa patur një ligj të plotë e të saktë (pa dashur të them të fortë), filluan të jepen minierat me koncesion. Kështu u dha me koncesion kromi, nafta, bitumi asfaltik, polimetalet, me një fjalë gjithë pasuria jonë nëntokësore.

Pse jepen objektet industriale me koncesion? – pyesin njerëzit tanë shpesh. Dhe unë e shpjegoj kështu këtë fenomen. Me koncesion jepen atëherë kur nuk di ta vësh në punë një objekt, kur nuk ke stafin e përgatitur dhe kur nuk ke fondet apo mjetet financiare, për të ecur procesi teknologjik. Asnjë nga këto kushte ne nuk na mungonte për minierat. Na mungoi vetëm mendimi, arsyetimi i shëndoshë, largpamësia. Sigurisht, në këtë çështje ndikoi kryesisht amullia e politikës ekonomike dhe korrupsioni i politikanëve që drejtonin ekonominë. Një miku im, me të drejtë thotë, “e di pse u dhanë me koncesion minierat?”. Dhe vetë përgjigjet: “U dhanë sepse politikanët tanë deshën t’i hiqnin qafe(!), dhe sigurisht të merrnin shpejt e shpejt ca ryshfete të majme nga koncesionarët”.

Sigurisht koncesionet ekzistojnë dhe janë krijuar me qëllimin e mirë që t’i japin zhvillim një dege (objekti) të caktuar të ekonomisë. Por koncesionarit i bëhet mirë i qartë, me sanksione ligjore, parimi që do ta shfrytëzojë objektin e dhënë sipas disa kushteve e rregullave të caktuara, që parandalojnë shfrytëzimin pa kriter, apo më mirë të themi “zhvatës”, duke patur si synim “të marr sa të marr e të iki”. Kështu ndodhi e po ndodh edhe me koncesionarët e minierave tona, sidomos ata të kromit, të naftës, të polimetaleve etj. Politika veproi, pa menduar se pas nesh vijnë brezat pasardhës, që do të jenë bijtë e nipërit tanë.

Çfarë po u lëmë atyre? Një nëntokë të bërë çamahur, të shkatërruar, të shkelur nga këmba e të huajit të rradhës, që është hallakatur, ku e ka çuar gjuetia pas mineralit të pasur e që vilet shpejt, që është endur në nëntokë poshtë e lart pa merak e delikatesë, pa pyetur se çfarë po lë pas. Kështu po ndodh me ngarkesat e eksplozivit jashtë çdo kriteri që hidhen në puset e naftës, kështu ka ndodhur me Bulqizën, që e rritëm, por e lamë më pas në mëshirën e fatit, rrugëve e pa përkrahje si “hirushen e përhitur” të përrallës së mençurisë popullore. Nuk dimë ç’ndodh në perlën e nëntokës sonë, në minierën e polimetaleve të Munellës, ku nxirret xeherori i bakrit dhe metalet që nuk thuhen e nuk përmenden në asnjë marrëveshje (ari, argjendi, seleni, volframi etj).

Po u tregoj një shembull deri ku shkon arbitrariteti i koncesionarëve. Një miku im, profesor mineralog i shquar me anëtarësi në shumë forume ndërkombëtare dhe ndoshta specialisti më i mirë në Ballkan për ofiolitet, që ka studiuar deri në imtësi mineralogjinë e xeherorit të Munellës, shkon një ditë të shohë minierën. Kur afrohet atje, para portës me roje, prezantohet dhe paraqet kërkesën që të vizitojë minierën e të shohë mineralin që e ka studiuar vetë para ca vitesh. Priti e priti dhe pas një kohe tepër të gjatë i dhanë përgjigje njerëz fare të rëndomtë, se nuk mund të hyjë, sepse nuk është punonjës i kompanisë. A kanë të drejtë të përgjigjen kështu?! Profesori i dërrmuar shpirtërisht u kthye me kokë të rënduar nga mendimet e kujtimet, se sa net pa gjumë kishte kaluar për të analizuar mineralogjinë e xeherorit të Munellës. Dhe me të drejtë pyeti veten: Ku jam? A jam në vendin tim? Apo për mua s’ka më Munellë? Kaq të paprekshëm e ndjejnë veten koncesionarët!

Është thënë se Shqipëria është një vend që zotëron mjaft pasuri natyrore, në radhë të parë pasuri minerare. A vazhdon të jetë i vlefshëm ky koncept edhe sot?

Atdheu ynë është një vend me sipërfaqe të vogël, por natyra nuk ka kursyer asgjë për nëntokën shqiptare. Nuk po flas për dy mineralet më të bollshëm të nëntokës e mbitokës sonë: ujin dhe gëlqerorët. Nuk gjen asnjë vend, jo vetëm në Ballkan por në gjithë Evropën, që të jenë kaq afër e pranë shkëmbinjtë magmatikë me formacionet sedimentare naftëmbajtëse. Gjithë zona Veri-lindore dhe ajo Veriore, është me shkëmbinj magmatikë, ndërsa zona Perëndimore dhe bregdetare ka vendburime nafte e gazi. Në shkëmbinjtë magmatikë bën pjesë masivi ultrabazik i kromit, ofiolitet me bakrin e polimetalet etj. Pas këtij peneli shumë të trashë dhe skematik, të gjeologjisë së Shqipërisë, po kaloj tek pyetja juaj. Unë jam i bindur se Shqipëria zotëron dhe ka në gjirin e saj pasuri të mëdha minerare.

Është e pamohueshme që rezervat e një vendburimi minerar janë të shterrueshme. Kemi shembuj për këtë edhe në vendin tonë. Por kërkimet e mëvonshme gjeologjike i kanë shtuar shumë më tepër rezervat. Po ju jap disa shembuj që mbështesin tezën e vazhdimësisë. Kështu p.sh. shteroi Rubiku, miniera më e vjetër e bakrit në Shqipëri. Por sa miniera të tjera bakri u hapën në Mirditë, në Kukës e gjetkë? Ose, është në përfundim të rezervave naftëmbajtëse vendburimi i Kuçovës, por sa vendburime të tjera nafte e gazi janë zbuluar që nga viti 1928, kur u shpua pusi i parë industrial, apo që nga viti 1938 kur Kuçova u quajt nga gjeologët e huaj “Mesopatamia e re”? Mjafton të përmendim Cakranin, një vendburim gjigand që na u dogj sepse ishim të papërgatitur në vitet ’70 për të përballuar fontana të tilla, si ajo e pusit të Cakranit. Dhe pikërisht ai vendburim, atëherë duhesh dhënë me koncesion, për të mos humbur në ajër gjithë ajo energji kolosale e shtresës, që edhe sot do të jepte naftë. Po kështu, vendburime të reja të naftës e gazit janë gjetur në rajonin Delvinë-Sarandë etj. Si në kozmos, edhe në nëntokë, shtrirja dhe thellësia e intrigon, e josh, e ngacmon njeriun, për kërkime. Kush mund ta japë me siguri që nëntoka shqiptare shteroi nga pasuritë minerale? Popullsia jonë është e vogël dhe këto që kemi janë të mjaftueshme e teprojnë, por më të sigurt janë ata që kanë bindjen se vendburime të tjera do të zbulohen, po të bëhen kërkime gjeologjike.

Premisat gjeologjike janë të pakundërshtueshme, se rezerva mineralesh ekzistojnë dhe ato për shumë vite e vite do të ekzistojnë. Unë flas këtu për kromin, hekur-nikelin, bakrin, bitumin natyror, nikel-silikatin, pa përmendur rezervat e gurëve, të rërës, të argjilës, të dolomiteve dhe gëlqerorëve, të gurëve dekorativë, mermerëve etj. që kanë pësuar këto 20 vitet e fundit një bum të vërtetë.

Një diskutim i gjerë vijon prej vitesh për industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të kromit. Së fundi një material i dalë nga institucione të specializuara, jepte shifra alarmante, në lidhje me sasinë e pashfrytëzuar të këtij minerali.

Për kromin ia vlen gjithnjë të diskutohet. Ai është quajtur “ari i murrmë”, krahas naftës që është quajtur “ari i zi”. Të dy këta minerale, që natyra na i ka dhënë pa u kursyer (për numrin e popullsisë që kemi) janë një pasuri e madhe, e pakrahasueshme, që po të administroheshin mirë e me efikasitet, do të mbulonin më shumë se 35% të GDP tonë kombëtare.

Masivi ultrabazik i Bulqizës, së bashku me atë të Batër Martaneshit, janë gjigandët e nxjerrjes së kromit në vendin tonë. Kemi krom edhe në rajonin Kukës-Tropojë, dhe në rajonin Librazhd-Pogradec, po kromi i këtyre rajoneve është më i pakët në rezerva dhe pak më i dobët në cilësi. Xeherori (minerali) i kromit të Bulqizës, ose mademi i Bulqizës, është i pasur në oksidet e kromit Cr²O³. Ai përmban 41-46% të këtyre oksideve. Ka përqindje të lartë hekuri dhe të ulët alumini, veti kjo që e bënë shumë të kërkuar në metalurgji dhe të rrallë në llojin e vet. Është një nga mineralet më të rëndë që nxirret nga nëntoka jonë. Përgjithësisht ka ngjyrë të errët, të murrmë në të zezë. Por shfaqet dhe me pikëzime të bardha në të verdhë, veçse asnjëherë nuk është i bardhë, apo i kaltër, i kuq apo jeshil. Ka shkëlqim metalik në të argjendtë.

Kromi, si produkt shqiptar, është siç është ari i Afrikës, siç janë diamantet e Kongos, siç është nafta e Arabisë, si gazi natyror i Rusisë, apo makinat gjermane, që të gjithë i kërkojnë e askush nuk i refuzon, pra kromi ynë është një produkt që për t’u shitur, nuk ka nevojë për reklamë. Më 18 shkurt kaluan 65 vjet që shfrytëzojmë Bulqizën. Sot miniera ka arritur në kuotën minus 4 m. nën nivelin e detit, në thellësinë 824 m.

Miniera po përgatitet të zbresë për shfrytëzimin e mineralit në thellësi të pahasura në minierat tona, deri në 1100m. Janë në plan të vazhdojë avancimi i dy traverbangëve që kanë hyrjen në Klos, të cilët pas viteve 1992 u lanë pa u përfunduar në kilometrin 5. Ata do të ecin dhe 1 kilometër. Dhe kështu fundi i Bulqizës së sotme lidhet me Klosin. Këta traverbangë do të nxjerrin ujin e minierës, për pompimin e të cilit nga fundi i minierës në sipërfaqe harxhohet mjaft energji, do të përmirësojnë atmosferën e minierës me ajrin e pastër që do të futin dhe minerali do të transportohet në nëntokë e do të nxirret në Klos, ku ndodhet impianti i përpunimit të tij. Është kjo një zgjidhje mjaft teknike, me vlera të padiskutushme ekonomike dhe që do të përmirësojë mjaft kushtet e punës në nëntokë.

Këta dy faktorë, avancimi i traverbankëve dhe zhytja e shfrytëzimit në thellësi mbi 1100 m, prerja vertikalisht e horizontalisht e vendburimit, shtrirja kryq e tërthor e galerive, mendoni ju se nuk do të hasim në trupa të rinj kromi? Unë personalisht kam ende besimin te thënia e gjeologut të ndjerë prof. Skënder Dede, i cili ashtu mendueshëm pyeste: “nga erdhi kjo magmë që shtriu damarët e saj në masivin e Bulqizës?”. Dhe pas një heshtje ai përgjigjej: “Ka të ngjarë që aty, në thellësi të Bulqizës, të ndodhet oxhaku i ardhjes së magmës”. Mbase… Brezat e ardhshëm do ta eksplorojnë edhe këtë enigmë të nëntokës sonë. Por një gjë dua ta nënvizoj:

Nuk mund të flitet për rezervat ekzistuese, pa studime gjeologjike të thelluara, ashtu siç nuk mund të pritet rritja e zbulimi i rezervave të reja. Fatkeqësisht, studimet gjeologjike janë zbehur fare.

Prandaj as euforikët, as pesimistët për jetëgjatësinë e Bulqizës, nuk kanë mbështetje e argumente bindëse. Me domosdo duhen intensifikuar studimet gjeologjike të bëra nga gjeologë të aftë e me përvojë dhe me sonda moderne. Aq më tepër këto janë të domosdoshme në Bulqizë, ku shtrirja dhe zhytja e trupave (damarëve) xeherorë, sidomos rrudhosja e valëzimi i tyre; tektonika mjaft e zhvilluar, prania e gazit hidrogjen dhe e ujërave, e bëjnë Bulqizën një vendburim unikal e të papërsëritshëm. Veçanërisht në studimet gjeologjike dhe në shfrytëzimin minerar, këto kushte paraqesin vështirësi serioze për inxhinierët gjeologë e të minierave.

Si e konsideroni mënyrën se si është vepruar me menaxhimin e nxjerrjes së kromit si dhe me përpunimin e tij? Cilat janë, sipas jush, defektet që vihen re në këtë proces?

Miniera e kromit në Bulqizë iu dha së pari në koncesion një firme të quajtur “Darfo”, historia e së cilës është e njohur dhe e rrahur në shtyp e në media, si një kompani që kishte hyrë në Shqipëri vetëm për të grabitur. Ajo mori sa mund të merrte dhe iku pa bërë asnjë investim. Shfrytëzoi atë që ishte përgatitur me kohë dhe u zhduk, madje duke mashtruar dhe disa privatë që i shisnin kromin, por që edhe sot nuk i ka paguar. Pas saj, Bulqizën e mori në koncesion një firmë e përzierë austriake-ruse, e cila pas një periudhe u shpërbë dhe pjesa ruse u largua. Bulqiza i mbeti përfundimisht deri në fund të vitit 2012, firmës austriake. Pra Bulqiza gjatë këtyre 20 vjetëve ka kaluar nga një dorë në tjetrën, si “gratë e përdala”, ndërmjet koncesionarëve zhvatës dhe grabitës. Nuk e meritonte Bulqiza këtë trajtim apo “menaxhim”. Nga gjithë kjo ecuri e këtyre viteve, në Bulqizë nuk u bë asnjë investim serioz nga koncesionarët, duke përfshirë edhe ata austriakë. Pas grevave të fuqishme të minatorëve në vitin 2011-12, austriakët u detyruan të bënin disa investime. Investimi më i madh ishte blerja në Poloni e një makine ngritëse për pus vertikal. Sigurisht ishin të detyruar ta bënin këtë në radhë të parë për interesat e tyre. U duhesh të thellonin një pus të ri, për të marrë rezervat në nivele të reja, më në thellësi. Nga gjithë kjo histori e Bulqizës, mund të thuhet si konkluzion se koncesionarët shpejtojnë të marrin ç’mund të marrin, pa u kujdesur për rregullat e shfrytëzimit teknik të vendburimit, pa menduar për pasojat e mëvonshme të shfrytëzimit dhe bëjnë minimumin e mundshëm të investimeve, sepse e dinë se dita e largimit nuk është e largët.

Prandaj, për koncesionet duhet të jetë një ligj i përpunuar, i fortë, me sanksione rigoroze për mos zbatimin e marrëveshjes koncesionare. Dikasteri përkatës duhet të ketë struktura të posaçme, që kontrollojnë me përpikmëri zbatimin e marrëveshjes koncesionare.

Në fund të vitit 2012 firma austriake u tërhoq nga koncesioni i Bulqizës dhe Bulqiza u bë pronë e firmës shqiptare “Balfin Grup” me president Zamir Mane. Pra tani Bulqiza është në duart e shqiptarëve. Kjo mua personalisht më gëzon, sepse shqiptarët do ta duan e do të bëjnë një shfrytëzim të kujdesshëm e afatgjatë. Mesa vëmë re fillimi është i mbarë dhe janë në plane investime serioze, si përfundimi i traverbankëve të Klosit, ndërtimi i një pusi të ri me thellësi 600 metra, etj. Të shpresojmë që ky vrull dhe entuziazëm i fillimit, të mos zbehet e të mos shteret gjatë viteve, sepse Bulqiza është një minierë ku ia vlen të investohet pa mëdyshje e stepje. /Marrë nga revista “Java”/