*Kandidati i majtë për Bashkinë e Durrësit tregon për herë të parë për “Dyrrah” momentet e zgjedhjes së tij nga PS-së, pikat e forta të tij që e shtyjnë të besojë drejt fitores
Si e pritët rikandidimin për Bashkinë e Durrësit, që ju bëri PS-ja?
Shpalljen e listës së kandidatëve për zgjedhjet e 21 qershorit e kam pritur me besim. Më ka inkurajuar fakti, që kandidatura ime pati mbështetje më të gjerë ashtu siç është edhe baza politike e Aleancës për Shqipërinë Europiane.
Cili është mendimi juaj për kandidaturën rivale të zj. Grida Duma? Si mendoni cilat janë pikat e dobëta të palës tjetër, që ju favorizojnë ju në fitore?
Kam thënë se fushata ime do të ketë karakter përurues. Do të fitoj epërsinë në punë dhe rezultate, jo duke kërkuar cilat janë anët e dobëta të konkurruesve. Me këto anë po merret shtypi. Ne që jemi njerëz publikë nuk na mbetet gjë e fshehtë. Këtu e kam fjalën për fakte jo për folklorin e qytetit. Në të kundërt do të duheshin volume librash. Unë jam në krye të bashkisë, jo për të bërë teori dhe për të shitur utopi. Epërsia ime qëndron në provat e punës dhe të suksesit. Unë e di se ka edhe pakënaqësi dhe dua t’i siguroj edhe ata, që mbushin Vox pop-et çdo mëngjes, që jam i vëmendshëm ndaj tyre. Zgjedhësit kanë provën para syve dhe nuk kanë pse i besojnë hartimeve.
Ku bazohet program i fushatës suaj? Cilat janë pikat, ku do “sulmoni” për të marrë vota nga qytetarët?
Po konkurroj kundrejt një elektorati, që e njoh dhe më njeh. Nuk ka familje durrsake, që mos ia di hallet dhe shqetësimet. Unë i kam ftuar qytetarët që të qeverisim së bashku, të kemi një bashki, që qeveris me drejtësi, që i administron të ardhurat me ato prioritete, që do të donin qytetarët. Kemi strategji zhvillimi dhe kjo na jep siguri. Do të jenë vetë qytetarët pjesë e vendimmarrjes, jo vetëm përmes këshilltarëve, por edhe përmes këshillimit të drejtpërdrejtë. Epërsia ime është njohja e detajuar e shqetësimeve. Unë e di se çfarë i mungon qendrës dhe çfarë i mungon periferisë. Njoh shumë mirë gjeografinë e re që përfshin ndarja e re territoriale.
Çfarë është bërë keq dhe çfarë është bërë mirë deri tani në Durrës. Nëse fitoni, çfarë do të bëni menjëherë për të ndryshuar këtë bashki?
Unë ju thashë se jam i vëmendshëm ndaj çdo vërejtje dhe siguroj përmirësimin e cilësisë së qeverisjes. Tani, se çfarë kam bërë keq, le t’ua lemë kundërshtarëve. Nuk është e drejtë të ma drejtoni mua këtë pyetje pa mbaruar fushata. Se çfarë është bërë mirë besoj se çdo qytetar i Durrësit edhe vetë kritizerët e dinë mjaft mirë. Durrësit i është kthyer fytyra e qytetit. Durrësi është urbanizuar dhe riurbanizuar edhe në skajin më periferik. Arteria e kulturës urbane ka shkuar deri te shkallët e pallateve. Ne e bëmë qytetin me buxhetin bashkiak dhe kemi rritur pavarësinë e tij, meqë ju e dini sesa “zemërgjerë” ka qenë qeveria e kaluar me ne. “Durrësi për Durrësin”, me këtë slogan të deritanishëm e më tej me “Durrësi në drejtimin e duhur” kemi arritur të punojmë për sot dhe për perspektivën.
Kur kandidonit për herë të dytë për kryebashkiak të Durrësit jeni shprehur: Një mandat nuk mjafton për të realizuar vizionin tim për Durrësin. Tashmë kërkoni një mandat të tretë. Sa vite duhen për të realizuar vizionin tuaj për Durrësin? Cilat do të jenë projektet, që duhen konkretizuar për Bashkinë e Durrësit, nëse fitoni mandatin e tretë?
Unë ju thashë, që ne kemi një strategji zhvillimi. Kuptohet, strategjitë janë më së paku afatmesme. Tani për tani, të komentosh konceptin për strategjinë ngjan si të fabrikosh premtime, kështu që rezervohem të flas vetëm për punën që na pret pas 21 qershorit. Parajsën le ta premtojnë ata, që nisën me “çekun e bardhë” e më pas “do t’ia kalojmë edhe Gjermanisë”. Unë si Vangjush jam me këmbë në tokë. Premtoj të mundshmen, optimalen.
Z.Dako, pse duhet të votojnë për ju socialistët, që janë të papunë njëlloj si dje në kohën e Berishës? Pse duhet të votojnë për ju të arrestuarit për energjinë elektrike apo për ndërtimet pa leje?
Lexuesit do të dyshojnë në sinqeritetin e pyetjes suaj. Nuk është e vërtetë, që papunësia është e njëjtë si në qeverisjen e Berishës. Ajo qeveri një të tretën e buxhetit e siguronte nga trafiqet e paligjshme. Ne e shkulëm këtë gangrenë, megjithë efektin boshatisës në buxhet. Mos prisni që paratë e merituara të zëvendësojnë paranë e “lehtë” për një vit. Mos prisni që efekti i punësimit të shfaqet kaq dukshëm në këto kushte. Së dyti, e di që efekti detyrues për energjinë elektrike mund të përkthehet në një farë pakënaqësie, por pse nuk e shihni në një dritë tjetër këtë problem? Sa kënaqësi u ka dhënë ky veprim, atyre që deri tani kanë paguar për vete e për të tjerët? A nuk është kjo drejtësia minimale, që duhet të ofrojë çdo qeveri? Si mund të mbrohet tregu, kur malli më i konsumuar dhe i vetmi produkt, që pushteti i opozitës së djeshme nuk arriti ta shkatërrojë nga e kaluara, nga dikush blihet e nga dikush grabitet?
Cili është mesazhi juaj për elektoratin?
E para: Nuk e mbaj veten për mesazher. E dyta: Është shpejt për të shqiptuar formulën, që do na lidhë për të bashkëqeverisur për katër vjet të tjera. Tani jam në një periudhë dëgjese dhe kjo do të thotë se po marr mesazhet e zgjedhësve.
Ju faleminderit për intervistën z.Dako.
Ju faleminderit juve si agjenci lajmesh, që mbani emrin e Durrësit, qytetit, ku unë kam fatin dhe përgjegjësinë e madhe të jem kryebashkiak.
Gjergj Thanasi/ Agjencia e lajmeve “Dyrrah”
Ju faleminderit juve si agjenci lajmesh, që mbani emrin e Durrësit, qytetit, ku unë kam fatin dhe përgjegjësinë e madhe të jem kryebashkiak.
Gjergj Thanasi/ Agjencia e lajmeve “Dyrrah”