Kryeparlamentari Ilir Meta, në një intervistë për emisionin “Mi Manda Rai Tre”, të kanalit televiziv publik italian Rai Tre, u shpreh se Shqipëria nuk do të ngrinte asnjë mur për të penguar hyrjen e emigrantëve.
“Shqipëria nuk ka ndërmend të ndërtojë asnjë mur për të ndaluar fluksin e emigrantëve, pasi për refugjatët vendi ynë është vetëm një vend transit, – tha Meta. – Jemi të vendosur që të punojmë dhe të koordinohemi me vendet fqinje, si edhe me Bashkimin Evropian, për të marrë përsipër përgjegjësitë tona në bazë të kapaciteteve që kemi, dhe kemi vullnetin e duhur për të punuar dhe koordinuar. Vetëm falë një përpjekjeje të përbashkët do të jetë e mundur të përballemi me këtë situatë emergjence humanitare. Shpresojmë që dhe Bashkimi Evropian të jetë i bashkuar dhe i koordinuar per t’i bërë ballë kësaj krize, sepse e dimë që Italia është përballur e vetme me këtë situatë për shumë kohë. Kjo është një situatë e cila nuk mund të përballohet e vetme, jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga vende si Italia apo Gjermania. Kjo krizë mund të menaxhohet vetëm me anë të përpjekjeve të përbashkëta të të gjithë Bashkimit Evropian dhe të vendeve të origjinës.”





