Intesa San Paolo Bank Albania, dega qendrore në Durrës ka zhvilluar një aktivitet me maturantë të shkollës “Gjergj Kastrioti”, Durrës, në kuadër të “Javës së Parasë”. Banka hapi dyert për nxënësit të cilët kanë vizituar ambientet, e ku janë njohur nga afër jo vetëm me praktikat e sistemit bankar, por dhe me mundësitë që kjo bankë ka vënë në dispozicion për studentët e rinj, me paketat e ndërtuara posaçërisht për ta.
Drejtoresha e degës qendrore të Intesa Sanpaolo Bank Albania, Laureta Domi, me rastin e “Javës së Parasë” priti për një vizitë nxënësit e shkollës së mesme “Gjergj Kastrioti” për t’i njohur ata nga afër me sistemin bankar, financiar dhe vlerën e parasë, si dhe me produkte e shërbime inovative të vlefshme për grupmoshën, të cilat do u mundësojnë atyre një përdorim më të mirë e më të sigurtë të të ardhurave, përmes kursimit dhe përdorimit të kartave bankare me karakteristika e përfitime të shumëllojshme. Një vizitë e tillë, në një ambient real biznesi, gjatë orarit të shërbimit i dha mundësinë nxënësve të zgjerojnë njohuritë praktike dhe të bëjnë pyetje direkte mbi konceptet teorike të mësuara mbi Ekonominë dhe Sistemin Bankar, që në klasat e 11-ta dhe të 12-ta zhvillojnë në lëndët Etika në Biznes & Aftësi për Sukses & Shoqëritë e Nxënësve.
Grupi prej rreth 20 nxënësish u mirëprit nga Drejtuesja e Degës Znj. Laureta Domi dhe kolegët e saj, të cilët ishin shumë të gatshëm të ndanin përvojën e tyre të punës.
“Nga 27-31 marsi 2017 jemi në “Javën e Parasë”, një festë mbarëbotërore e parasë, me qëllim ndërgjegjësimin e brezit të ri për të qenë qytetarë të ardhshëm të përgjegjshëm dhe të aftë për të marrë vendime financiare të mirëmenduara. Në 140 vende të globit, organizohen aktivitete të larmishme për t’i përfshirë fëmijët dhe të rinjtë, duke u mësuar si të kujdesen për paratë, si të kursejnë, si të mendojnë financiarisht apo si t’i kuptojnë ndryshimet në sistemet ekonomike ku jetojnë, si të fitojnë të ardhura nëpërmjet sipërmarrjes dhe të vendosin bazat për të ardhmen e tyre nëpërmjet kulturës financiare.
Intesa Sanpaolo Bank Albania në zbatim të politikave të saj të përgjegjësisë sociale me fokus të veçantë në Edukimin Financiar, vijon të japë kontributin e saj përmes projekteve të pjesëmarrjes vullnetare të drejtuesve të saj e profesionistëve të departamenteve të ndryshme, në dhënien e “Orëve të hapura” të leksionit në universitete. Gjithashtu Banka jep një kontribut direkt përmes angazhimit në programet e Junior Achievement për mentorimin vullnetar në shkollat e mesme të vendit, duke i afruar të rinjtë gjithnjë e më shumë me realitetin e tregut të punës dhe duke nxitur tek ta shpirtin sipërmarrës, për të sjellë ndryshime pozitive jo vetëm në cilësinë e profesionistëve të ardhshëm, por edhe në mbarëvajtjen ekonomike të vendit.
Aktivitetet në kuadër të “Javës së Parasë” janë organizuar me nismën e Bankës së Shqipërisë (BSH) dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave (AAB) në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe aktorë të tjerë të fushës.
K.H.