Tiranë, 20 mars 2014– Pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe asaj Administrative, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar bllokoi punimet për ndërtimin e bulevardit të ri në Tiranë. Nënkryetari i Bashkisë, Enno Bozdo, tha se ky është një vendim politik me urdhër direkt të kryeministrit Edi Rama. Sipas Bozdos, INUK është në shkelje të ligjit dhe vendimeve të gjykatave.
“Bashkia e Tiranës,- thotë nënkryetari Bozdo,- është e vendosur të bëjë punën e saj dhe të respektojë afatet për përfundimin e zgjatimit të bulevardit”.
Për sjelljet antiligjore të INUK bashkia do të ngrejë padi penale.
“Do të marrim masa që punimet të mos ndërpriten dhe kjo vepër e madhe e rëndësishme të mbyllet brenda afatit. Do procedojmë me një padi penale për këto mënyra antiligjore thuajse fashiste. Pata takim me INUK. Tentova të kuptoj nëse kemi të bëjmë me një lajthitje të institucionit apo me një porosi politike. Edi Rama ka kërkuar që të bllokohet me çdo kusht kjo vepër. INUK nuk ka të drejtë të inspektojë këtu në kantier. Është e kuptueshme që kjo ka vetëm një shpjegim dhe ai është Edi Rama”,-vlerësoi nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Bozdo.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





