Sopranoja Inva Mula dhe violinisti durrsak Olen Çesari do të jenë së bashku në një koncert live më 19 prill në orën 19:00, në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
Lajmi është bërë i ditur nga violinisti në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ku fton ndjekësit të mos e humbasin këtë ngjarje kulturore. Violina virtuoze e Olen Çesarit së bashku me International Clandestine Orchestra kthehet në Tiranë pas dy vitesh mungesë.
Olen Çesari, ka lindur në Durrës. U ngjit në skenë në moshën 5-vjeçare si një virtuoz i lindur dhe në moshën 7-vjeçare dha koncertin e tij të parë recital në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Në moshën 10-vjeçare mbaroi gjithë programin e Liceut Artistik dhe pasi mbaroi këtë, ai ishte i vetmi fëmijë mes studentëve 24-vjeçarë që korrte sfidat në Institutin e Lartë të Arteve. Ai shkoi në Romë të vazhdonte studimet për violinën. Në moshën 18- vjeçare kishte mbaruar 3 konservatore: një në Shqipëri, një në Itali, dhe një në Austri.
Inva Mula soprano lirike, ka nisur karrierën e saj që në moshë të vogël. Në vitin 1987, fitoi çmimin Cantante d’Albania, në 1988 “George Enescu” në Bukuresht. Në vitin 1992 u nderua me çmim “Butterfly” në Barcelonë. Gjithashtu ajo rrëmbeu çmimin e madh Placido Domingo në Paris. Ajo ka interpretuar me emrat më në zë të operës në “Opera Bastille” në Paris, në Bruksel, në Mynih dhe Oslo. Ka performuar në operën “La Jolie fille de Perth”, dhe më vonë regjistroi kryeveprën e Puccinit “La Rondine”. Por Mula ka kënduar, “Lucia di Lammermoor”, “La boheme”, etj. Kujtojmë rolin e saj si Violeta në “La Traviata”, të cilën e performoi në mbarë botën si në Tokio, Bilbao, Orange, Trieste, dhe Toronto. Ajo gjithashtu njihet në mbarë botën për zërin e saj në filmin “The fifth element” në rolin e Diva Plavalaguna.