Çifti Inva Mula e Hetem Ramadani kanë organizuar një superfestë madhështore për 1-vjetorin e lindjes së vajzës së tyre Nina, emër që e mori nga nëna e Invës, po ashtu artiste.

Miqtë e çiftit kanë preferuar që këtë përvjetor të parë të ardhjes në jetë të vajzës së tyre ta festojnë në Shqipëri, pikërisht në bregdetin e Durrësit, në hotel “Bleart”.

Festa, e cila u organizua në një prej hoteleve më të njohura në plazhin e Durrësit, filloi që në orën 8 të mbrëmjes së të martës (30 prill), me një koktej, dhe fundin e pati pasditen e së mërkurës (1 maj).

Kanë qenë rreth 300 të ftuar në darkën që nisi pasditen e së hënës dhe që ka vazhduar deri në mesditën e ditës tjetër. Mbrëmja filloi me prezantimin e një klipi mjaft interesant, ku shfaqeshin momentet më pikante nga viti i parë i jetës së Ninës. Pas tij radhën e pati një spektakël fishekzjarrësh, që mbajti të mbërthyer në oborr të mëdhenj e të vegjël… Grupi i kërcimtarëve të vegjël dhe grupi i valltarëve i dhanë një start të mirë mbrëmjes. Nata vazhdoi më tej me fryrjen e qirinjve, ku këngën e ditëlindjes, Ninës së vogël ia këndoi nëna e saj, sopranoja e madhe shqiptare Inva Mula. Shoqërues i nënës në këtë performancë shfaqej edhe Anthony, i cili së bashku me Genc Tukiçin krijuan melodinë e himnit të ditëlindjes në piano.

Në skenë qëndronin Kamela, Xhoi e Landi, por shumë shpejt këtij grupi iu bashkua edhe sopranoja Vikena Kamenica, e cila, nën shoqërimin e violinistit famoz Olen Çesari, bëri një performancë të shkëlqyer. Radhën pas saj e patën poezitë mbresëlënëse të Agim Doçit e Timo Fllokos. Enada Hoxha e Gerd Vaso ishin çifti që si qershia mbi tortë shtuan glamurin në sallë. Mes të afërmve në festë kishte edhe mjaft persona publikë, si: profesori i nderuar Adem Demaçi, babai i sopranos tenori Avni Mula, profesori i saj Robert Radoja, Zhani Ciko, Suzana Turku, Vera Grabocka e Timo Flloko, Rudina Magjistari me të dashurin, Zana Çela, Mira Meksi, Joni Peçi, Ledina Çelo me familjen.

Çifti i njohur ka menduar ta organizojë këtë pritje si rrallëherë, duke u rezervuar të gjithë të ftuarve dhoma në hotelin ku u vendos të organizohej ceremonia, që të kishin mundësi të flinin natën e festës dhe të zgjoheshin po aty për të shkëmbyer të tjera urime nën rrezet e diellit dhe pranë detit ditën tjetër.

Të pranishmit e kanë konsideruar si një festë mondane të kuruar nga Armand Peza, që u ka kushtuar miliona dy prindërve të Ninës së vogël, duke pasur parasysh faktin që vetëm fishekzjarrët që hapën darkën, thuhet se kanë kushtuar 20 mijë euro.

 

Çdo muaj të jetës se saj të saponisur, Inva dhe Ethemi i kanë dhuruar vogëlushes Nina aq trëndafila sa ditë jetë ka.

Kjo festë do të mbahet mend gjatë si një nga festat më të bukura që janë realizuar ndonjëherë në Shqipëri.