TIRANE,31 korrik 2013 – Sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula është përzgjedhur të jetë fytyra e vitit për fushatën publicitare të markës së njohur të orëve zvicerane, "Baume & Mercier". Ylli i operas ka nënshkruar kontratën me kompaninë e njohur vetëm disa javë më parë dhe shumë shpejt pritet që të shfaqet edhe reklama e saj e parë… Sakaq, nëse i referohemi jetës profesionale, Mula sapo është kthyer nga festivali "Un violon sur le salle", që mbahet çdo vit në Royan të Francës. Aty sopranoja ka performuar me orkestrën e operas së Parisit përpara 50 mijë spektatorëve të ulur në rërë. Sigurisht që me nisjen e sezonit të ri, Inva Mula do të vazhdojë shfaqjet e saj në teatrot më të famshëm botërorë. Por deri atëherë ka kohë…
Pushimet familjare tashmë kanë nisur dhe për sopranon këto ditë po kalojnë si mos më mirë. Në fotot e postuara në "Facebook", Mula shfaqet shumë e lumtur krah të birit Anthony, që tashmë i është bërë shok. Megjithëse mungojnë fotot me Ninën tashmë 1-vjeçare dhe bashkëshortin Hetem Ramadani, jemi të bindur që këto ditë relaksi përkrah familjes janë të papërshkrueshme për divën e muzikës operistike…
(/summer pages/BalkanWeb)





