Me 22 shtator, në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë do të luhet opera “Peshkatarët e Perlave” të kompozitorit Georges Bizet.
Regjizore dhe protagioniste e kësaj premiere do të jetë sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula.
Opera do të do të çelë sezonin e ri artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, me interpretimin e emrave të njohur të skenës operistike shqiptare dhe të huaj
Me libret të Michel Carre dhe Eugene Cormon, dirigjent Zherar Akokanë, në këtë opera interpretojnë artistë të njohur të skenës shqiptare si baritoni Armando Likaj, sopranoja Ramona Tullumani, etj, ndërsa sopranoja Mula përveç regjisë do të luaj rolin e Lejlës.
Opera “Peshkatarët e Perlave” në vitin 1990 u vu në skenë nga regjisori Nikolin Gurakuqi, rolin e Lejlës e interpretoi Inva Mula. Më pas ky produksion u vu dhe disa herë të tjera në opera. Për herë të parë kjo opera u ngjit në skenën e TKOBAP në mars të vitit 1964.
Me regji të Luigj Gurakuqit dhe nën dirigjimin nga Mustafa Krantja, kjo shfaqje u realizua me dekor dhe kostumografi nga Shaban Toptani. Mjeshtrat e skenës operistike shqiptare, që interpretuan në këtë vepër ishin Nina Mula, Ksanthipi Mullisi në rolin e Lejlës, Zihni Berati, Gaqo Çako, Maliq Herri në rolin e Nadir, Avni Mula, Ramiz Kovaçi, Hysen Kurti në rolin e Zurga, Lukë Kaçaj, Koço Timko në rolin e Nurabadi.
Kjo vepër është një nga më përfaqësueset e repertorit operistik botëror, i cili ruhet sot në fondin e jashtëzakonshëm të historisë së vënieve në skenën e TKOBAP. Opera “Peshkatarët e Perlave” do të shfaqet edhe në datat 24 dhe 25 shtator po në skenën e Pallatit të Kongreseve në Tiranë.