Rastet e dhunës, veçanërisht ato që ndodhin në autobusët urbanë, nuk janë të pakta. Jemi mësuar shpesh të shikojmë ngacmime dhe dhunime që ju bëhen personave të caktuar në këto ambiente, por pamje të tjera edhe më çnjerëzore janë filmuar gjatë ditëve të fundit.
Personazhin që është bërë “tema” kryesore e kësaj videoje shumë prej jush mund ta njihni, veçanërisht nëse jetoni në Tiranë. Atë e shohim shpesh në rrugë të ndryshme të kryeqytetit, ndërsa dimër e verë rri në rrugë, me veshje të grisura e të shqyera, me një bastun që e shoqëron ngado.
Ndoshta nuk është thjeshtë një endacak invalid. Ndoshta ka edhe probleme mendore. Për këtë nuk mund të flasim me siguri. Ajo që duket në video është mënyra kafshërore se si shoqëria jonë po e trajton djaloshin, jeta e së cilit duket si inekzistente nga të gjithë, edhe pse shumë e njohim.
Pamjet janë filmuar në afërsi të Xhamisë së Madhe në qendër të Tiranës, ndërsa djali ka tentuar të hipë në urbanin e Porcelanit. Ka qenë fatorinoja i pari që i ka ndaluar udhëtimin, ndoshta edhe për shkak të mungesës së të hollave për të paguar këtë shërbim qytetar, e më pas janë disa djem të tjerë që e tërheqin zvarrë dhe e nxjerrin nga urbani duke e plasur në tokë.
Shteti ndoshta nuk e di që ekziston fare, siç nuk e di edhe për shumë persona të tjerë. Faturinoja ndoshta rrezikon vendin e punës nëse e pranon dhe nuk i jep biletë, por trajtimi i tillë është me të vërtetë çnjerëzor. /Jeta osh qef/





