Prej rreth një muaji, tek varrezat e reja të qytetit të Durrësit ka nisur investimi me vlerë rreth 16 milionë lekë të reja për sistemimin e tyre. E vënë në funksion rreth 20 vite më parë, gjendja aktuale e varrezave të reja lë për të dëshiruar. Investimi që pritet të përfundojë në muajt e parë të vitit të ardhshëm synon të përmirësojë ndjeshëm infrastrukturën.
Zv/drejtori i Ndërmarrjes Komunale, Soren Dedja deklaroi për “DurrësLajm”, se aktualisht është duke u punuar për sistemimin e kanaleve kulluese dhe largimin e bimësisë në mënyrë që problematikat që lidhen me mirëmbajtjen e varrezave të mos ekzistojnë më.

E ndërsa hapësira për varre të reja është ezauruar, madje edhe në hapësirën përtej murit rrethues, pritet të hapen dy parcelat e reja.

Por siç duket edhe nga fotot, asnjë veprim nuk është ndërmarrë deri më tani për hapjen e tyre, gjë që rrezikon që në javët në vijim të ketë vështirësi për varrosjen e qytetarëve që do të ndahen nga kjo jetë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i humbjeve të jetës është reduktuar ndjeshëm. Covid-19 dhe pasojat e virusit vdekjeprurës bënë që gjatë muajve të fundit të vitit 2020, numri i vdekjeve ditore në Durrës të arrinte në rreth 10-12 të tilla.
M.B.





