Qyteti i Durrësit rrezikonte të mbetej brenda pak javësh pa hapësira të lira në varrezat e reja. Por investimi që po kryhet për përfundimin e punimeve brenda këtij viti në 3 parcelat e reja që përfitohen nga zgjerimi territorial i varrezave të qytetit pritet të jetë zgjidhja e problemit.  

Prej disa muajsh tashmë, firma zbatuese e projektit po punon në një siperfaqe prej 37 mijë metër katrorë. Projekti parashikon punime për zgjerimin e varrezave ekzistuese me një kapacitet të përgjithshëm prej 7.200 varresh.  

Kjo sipërfaqe shtesë do të shërbejë për prehjen e fundit të qytetarëve që do të ndahen nga jeta në 7 vitet e ardhshme.

“Sipërfaqja totale e investimit është rreth 4 hektarë, por pjesa e sistemimit të varrezave të reja është rreth 25 mijë m2. Pjesa tjetër është infrastrukturë publike, rrugë, sistem ndriçimi por edhe hapësira të gjelbëruara”,- thotë për “DurrësLajm”, Lorenc Facja, Drejtor i Projekteve të Infrastrukturës Publike pranë bashkisë Durrës.

Krahas punimeve në sipërfaqen shtesë, projekti me vlerë rreth 231 milionë lekë parashikon ndërhyrje rehabilituese në disa rrugë të varrezave të reja të qytetit.

“Në parcelat ekzistuese po bëhet rrjeti i kanalizimeve nëntokësore me tubacion 200-600 mm, po bëhet rrjeti i ujësjellësit dhe sistemi i ndriçimit. Pasi të përfundojmë këto punime do të vazhdojmë me shtrimin e rrugëve të reja”,– thotë Rid Zogolli, inxhinier zbatues i projektit.

Sipërfaqja e re shtesë po ndërtohet me një konceptim të ri, shumë ndryshe nga ajo çfarë ofrojnë aktualisht varrezat ekzistuese.

Projekti pritet të përfundojë në shtator të vitit 2025 dhe në përfundim të tij, qyteti do të ketë 32 parcela varresh, që zënë një sipërfaqe rreth 25.600 metra katrorë.

Përgjatë gjithë sipërfaqes shtesë dhe jo vetëm është parashikuar vendosja e 16 çezmave publike, sistemit të ndriçimit si dhe do mbillen rreth 590 fidanë pemë dhe bimë dekorative.