Prej 2 muajsh një prej 2 arterieve kryesore nga stacioni i trenit deri te Veliera është përfshirë nga rikonstruksioni.
Me një fond prej 6 milionë euro, investimi ky i Bankës Botërore, është duke u shtruar rrjeti nëntokësor i kanalizimeve për shëtitoren bregdetare ndërsa ndërmarrja e Ujësjelllës Kanalizime Durrës po ndërhyn për pastrimin e kolektorit kryesor që mbledh ujërat e shiut duke nisur nga hyrja e portit në drejtim të lagjes nr 4.
Banorët e qendrës se Durrësit e paralelisht edhe shoferët kërkojnë që investimi të mbyllet shpejt për të përfunduar investimin e mirëpritur.
Ndërrmarrja e Ujësjellësit është duke punuar për të zhbllokuar kolektorin e ndërtuar një shekull më parë për ujërat e shiut por që në mënyrë të paligjshme ishin lidhur për t'u shkarkuar në të edhe ujërat e zeza të ndërtimeve të ndryshme. Tubacioni ishte pastruar në vitin 1982 për herë të fundit.
Vangjush Dako, kreu i bashkisë së Durrësit foli për investimet që po kryhen në qytet për të shmangur problemin e përmbytjeve.
Në një intervistë për "DurrësLajm", Dako deklaroi se janë dy projekte paralele, i pari nis nga Brryli në drejtim të stacionit të trenit dhe deri në hyrje të ish-Kënetës, për rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të zeza dhe projekti i dytë pastrimi i kolektorit kryesor në rrugën "Egnatia".
Këto investime zgjidhin përfundimisht problemin e ndotjes se bregdetit dhe të përmbytjeve. Në kolektorin e ndërtuar një shekull më parë nga Italia fashiste për ujërat e shiut ishin lidhur edhe tubat e shkarkimit të ujërave të zeza duke bërë që të bllokohej në masën 90% , e për pasojë të krijoheshin përmbytje masive në qendër të Durrësit. Dako foli për afatet e mbylljes së këtyre projekteve.
Në përfundim të kësaj ndërhyrje pritet që të eleminohen përmbytjet që ndodhin në stinën e dimrit.
K.H.





