Përmirësimi i aksesit në ujë të pijshëm por edhe largimit të ujërave të përdorura kërkon ende qindra milionë euro investime në vend duke tejkaluar mundësitë financiare të vendit çka ka bërë që projektet të shtrihen në periudha afatgjata.
Vetëm në vitin 2022 për këtë sektor nga buxheti i shtetit janë alokuar 70.7 milionë euro dhe u disbursuan shumica e tyre. Të paktën këto janë konstatimet që ka bërë Enti Rregullator i Ujit në raportin vjetor të vitit të shkuar.
“Për vitin 2022, nëpërmjet AKUM-it, janë alokuar fonde për investime në sektor nga buxheti i shtetit në vlerën e rreth 8,5 miliard lekë (rreth 70.7 milion euro) dhe janë disbursuar 70.2 milion euro ose rreth 99.3% e fondit të akorduar për investime. Pjesa më e madhe e financimit në vitin 2022 ka qenë për objektet në vazhdim dhe vetëm 280.8 milion lekë (rreth 2.3 milion euro) janë financuar për objekte të reja” thuhet në raport.
Më herët qeveria kërkoi një mbështetje financiare nga Banka Botërore për këtë sektor teksa prej vitesh vijon të marrë fonde nga banka gjermane e cila është angazhuar me projekte konkrete në bashki të ndryshme në vend sa i takon përmirësimit të infrastrukturës që lidhet me ujësjellës-kanalizime.
“Në sektor janë financuar edhe 1,68 miliard lekë (rreth 14 milion euro) financime të huaja, kryesisht nga KfW në vazhdimësi të Programit të Infrastrukturës Bashkiake III, IV dhe V, Banka Botërore, SECO dhe SIDA, nga të cilat është disbursuar pothuaj e gjithë vlera (99.4%). Vlera e disbursuar nga investimet e huaja ka qenë vetëm për objektet në vazhdim. Investimet fizike janë të orientuara drejt reformimit të sektorit UK në përmbushje të Strategjisë Kombëtare në plotësim te nevojave të një ekonomie në zhvillim” thuhet në raportin e ERRU.
Përmirësimi i infrastrukturës në këtë sektor ka efekt direkt në përmirësimin e rezultateve të ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve lidhur me tregues të tillë si kohëzgjatja e furnizimit me ujë. Gjatë vitit 2022 ERRU vlerëson se “Kohëzgjatja e Furnizimit me Ujë” e cila shpreh mesataren e orëve të furnizimit me ujë në ditë, për vitin 2022 është në nivelin e 16.3 orë/ditë me një përmirësim prej rreth 1 orë krahasuar me vitin 2021.
“Në mbyllje të vitit, rezulton se në sektor operojnë 11 shoqëri UK që kanë furnizim të pandërprerë 24/7 ndërsa pjesa dominuese e shoqërive rreth 33 prej tyre ofrojnë furnizimin me ujë në nivele relativisht të mira 10-22 orë në ditë. Përmirësimi i këtij treguesi lidhet direkt me investimet e kryera në sektor, ku rritja e orëve të furnizimit me ujë 24/7 është edhe objektiv afatshkurtër i qeverisë qendrore 2018-2023, projekt që fillimisht ka filluar me qendrat urbane, ku synohet furnizim me ujë 24/7 për 58 nga 66 qendra urbane, deri në fund të vitit 2023”, thuhet në raport./Monitor/