Një investim, i cili ka kushtuar 446 milionë lekë me TVSH, është shkatërruar pa kaluar viti.

Bëhet fjalë për rehabilitimin e përroit të Leshniqes në Kavajë, i cili u përurua dy herë në prag të zgjedhjeve të parakohshme për kryetar bashkie në vitin 2017, ndërkohë që përmbytjet e fundvitit shkaktuan dëme të konsiderueshme. Fitues i tenderit për realizimin e këtij projekti ishte subjekti që aktualisht është nën hetim edhe për rrugën Gjinar-Elbasan, për të cilën janë arrestuar edhe zyrtarë të ARRSH-së.

Sipas dokumenteve, projekti për rehabilitimin e gjithë zonës përgjatë përroit të Leshniqes, kushton rreth 10 milionë euro, megjithëse faza e parë ku janë rregulluar dy anët e përroit, janë vendosur shtyllat e ndriçimit dhe janë ndërtuar trotuaret, bashkë me një mol të vogël në grykëderdhjen e përroit në det ka kushtuar rreth 375 milionë lekë të reja pa TVSH, ose 446 milionë lekë me TVSH.

Fituesi i këtij tenderi u shpall nga Bashkia Kavajë në qershor të vitit 2016, kur kryetari i kësaj bashkie, Elvis Roshi ishte arrestuar nga policia. Në qershor të vitit 2017, vetë Kryeministri Rama vizitoi zonën për punimet e kryera në fazën e parë. Por, me përmbytjet e këtij viti pati shumë dëme, edhe pse qëllimi kryesor i rehabilitimit të përroit ishte për të shmangur përmbytjet.

Kryetari aktual i Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja deklaron se në momentin që ai ka marrë drejtimin e bashkisë ishin bërë të gjitha pagesat dhe investimi ishte marrë në dorëzim. Aktualisht ka mbetur pa u paguar vetëm 5% e shumës së vitit të garancisë. 

Kryetari i Bashkisë shpjegoi se pas dëmeve të shkaktuara është ngritur një grup pune për verifikimin e situatës, ndërkohë që ende nuk është gjetur fajtori. Sipas tij, firma thotë është faji i projektit, projektuesi thotë është faji i firmës. Në këto kushte do ngrihet një grup pune për të verifikuar nëse shembja ka ndodhur për shkaqe të jashtëzakonshme, apo për shkak të punimeve./TCH